Bota

Nuk i lejohet të këndojnë…/Gratë afgane protestojnë kundër rregullave të reja në vendin e tyre!

Dhjetëra gra afgane po marrin pjesë në një lëvizje proteste në internet kundër një ligji të ri që i ndalon ato të këndojnë apo të mbajnë ligjërata në publik. Qoftë brenda apo jashtë vendit, ata kanë filluar të filmojnë veten duke kënduar dhe më pas i postojnë videot në rrjetet sociale, me mbishkrime si “Zëri im nuk është i ndaluar!” dhe “Jo talebanëve!”.

Qeveria talebane njoftoi, javën e kaluar, shpalljen e një ligji për “promovimin e virtytit dhe parandalimin e veseve”, i cili përbëhet nga 35 nene me një sërë detyrimesh dhe ndalimesh për gratë, duke përfshirë të drejtën për të kënduar ose recituar poezi në publik. Si përgjigje, gratë afgane filluan protestën e tyre në mediat sociale. “Kur një grua e rritur duhet të largohet nga shtëpia për nevoja, ajo duhet të mbulojë fytyrën, trupin dhe të heshtë”-parashikon ligji.

Në një nga videot, që besohet se është filmuar në Afganistan, një grua këndon e veshur me të zeza nga koka te këmbët. “Më burgosët në shtëpinë time për krimin e vetëm të të qenit grua”-thotë ajo. Grupet aktiviste kanë postuar video ku gratë shihen me grushte të ngritura ose duke grisur fotot e liderit suprem të talebanëve, Emir Hibatullah Akhundzada, i cili sundon Afganistanin.

Të paktën 1.4 milion vajzave në Afganistan u është mohuar qasja në arsimin e mesëm që kur talibanët u kthyen në pushtet në vitin 2021y “Në vetëm tre vjet, autoritetet de facto pothuajse kanë zhdukur dy dekada të përparimit të qëndrueshëm për arsimin në Afganistan dhe e ardhmja e një brezi të tërë tani është në rrezik”-tha UNESCO në një deklaratë.

Këto të dhëna janë bërë publike pasi talibanët shënuan tre vjet që kur forcat e tyre pushtuan kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin, më 15 gusht 2021, pasi Qeveria e mbështetur nga SHBA-ja ra dhe udhëheqësit e saj u larguan në mërgim. Që nga kthimi i talibanëve në pushtet, gratë janë përjashtuar nga jeta publike atyre u është ndaluar të bëjnë shumë punë, u janë ndaluar parqet si dhe palestrat dhe u është ndaluar arsimi i mesëm dhe i lartë.