Health & Beauty

Nuk është e thënë të dini mjafton përpjekja, këndimi ju zgjat jetën!

Muzika mund të lehtësojë dhimbjen, ta reduktojë stresin, ju bën të punoni më shumë dhe madje edhe ju relakson. Ndërkaq, këndimi ju mundëson ta ndjeni vërtet muzikën me mendje, trup e shpirt. Hulumtimet gjithashtu kanë treguar se këndimi mund t’jua përmirësojë shëndetin, të rris lumturinë, e madje edhe t’jua shtojë disa vite jetë. Pavarësisht se ku jeni, ju mund t’i gëzoni përfitimet e muzikës thjesht duke kënduar. Këndimi është i mirë edhe për trurin dhe mund t’ju bëjë të ndiheni shumë mirë sepse liron endorfinë, hormonet që prodhojnë kënaqësi, e gjithashtu lirojnë njëkohësisht edhe oksitoksinë, hormone që largojnë stresin dhe ankthin.

Oksitoksina gjithashtu zvogëlon ndjenjat e depresionit dhe vetmisë, duke na bërë të ndihemi më të lidhur me botën. Një studim i kryer nga shkencëtarët e universitetit Gothenburg në Suedi ka zbuluar se njerëzit që këndojnë së bashku lidhen më shumë sepse kanë rrahje të sinkronizuara të zemrës. Ndër tjerash, këndimi edhe mundëson nivele më të ulëta të kortizolit, e forcon sistemin e imunitetit, etj. Pra, nëse dëshironi të ndiheni më pak të stresuar, të bëheni më të lumtur, të jetoni më gjatë e të flini më mirë, përgjigja është e thjeshtë: këndoni!

Praktika e luajtjes dhe “leximit” të muzikës mund të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës së mirë dhe aftësisë për të zgjidhur detyra komplekse, kjo sipas një studimi të raportuar nga BBC. Një punim i botuar në “International Journal of Geriatric Psychiatry” thotë se muzika duhet të jetë pjesë e një stili jetese që ndihmon në ruajtjen e shëndetit të trurit.

Për këtë përfundim u studiuan më shumë se 1100 persona mbi moshën 40-vjeç, me një moshë mesatare 68-vjeç. Shkencëtarët nga Universiteti i Exeter analizuan të dhënat mbi funksionet e tyre të trurit si pjesë e një studimi më të gjerë që shikon se si truri plaket dhe pse njerëzit zhvillojnë demencë. Ata studiuan efektet e luajtjes së një instrumenti, këndimit, leximit dhe dëgjimit të muzikës dhe aftësisë muzikore. Shkencëtarët krahasuan të dhënat njohëse të subjekteve në studim, të cilët në një farë mënyre në jetën e tyre ishin të përfshirë në muzikë, me ata që nuk e kanë bërë kurrë atë. Rezultatet e tyre treguan se njerëzit që luanin instrumente muzikore përfituan më shumë.