E ftuar në emisionin e sotëm të “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro ka qenë artistja e mirënjohur Elvana Gjata. Në këtë intervistë ekskluzive, ajo na ka zbuluar më shumë detaje rreth jetës së saj private, rolit si aktore në serialin “Tenxherja Kapakun” dhe projektet e tjera që e presin.
22 qershori ishte dita më e rëndësishme për Elvana Gjatën, e cila mbajti koncertin e parë recital në stadiumin Air Albania. Këngëtarja organizoi koncertin “Dekada” që mbldhoi mijëra dashamirës të muzikës së saj në stadium dhe rezultoi një sukses i padiskutueshëm. Elvana shkriu në skenën gjigante, të ndërtuar në stadium me efekte dhe grafika të veçanta, karrierën e saj 20-vjeçare. Gjatë dy dekadave në tregun muzikor shqiptar, artistja ka marrë dashamirësinë e mijëra njerëzve që i dëgjojnë dhe këndojnë këngët e saj. Duke folur rreth kësaj eksperience, Elvana shtoi:
Kjo ka qenë ëndrra ime në sirtar, që të kem mundësinë edhe unë të këndoj në një stadium këngët e mia me publikun të gjithë një zëri. Kjo ka qenë ëndrra në sirtar që literalisht u bë realitet. Do të mbetet patjetër një nga kujtimet më të bukura të jetës sime. Një projekt shumë gjigand me skenografi, kostumografi, koreografi e të gjitha. Emocione të papërshkrueshme. Nuk do t’i harroj asnjëherë ato fytyrat e njerëzve plot emocion e plot gëzim dhe me të vërtetë do të jetë e paharrueshme për mua. “Dekada” u desh që të bashkohen të gjithë yjet bashkë them unë, sepse ka një kohë për çdo gjë dhe u bashkuan të gjithë yjet bashkë që të ndodhte kjo gjë. Duke filluar që nga Albi Çifligu me Kostën edhe me stafin e Kuadër, që me profesionalizimin e tyre kanë qëndruar pranë meje si miq dhe kanë bërë atë që duket e pamundur, e kanë bërë të mundur. Kanë punuar me plot zemër. Edhe Ledion Liço që të ngroh me ato fjalët e tij, kështu si diell. Edhe me atë artin e vizionin e tij. Unë ende kur e shikoj në YouTube koncertin mbetem pa fjalë, sepse nuk ka asgjë më pak sesa ‘show’ i një artisti botëror i skenave ndërkombëtare. Patjetër pastaj edhe Alban Male qëka punuar shumë, siç e the edhe ti me të gjithë komcertin live. Ola dhe Esdalini me koreografitë e tyre aq të bukura. Elva me kostumografinë. Patjetër edhe Valdrini që është gjithmonë pranë meje në çdo projekt.
Ajo çka surprizoi edhe prezantuesit ishte se në fund Elvana shtoi:
Ky stadium nuk do të jetë i fundit.
Presim se çfarë do të ketë përgatitur artistja në vazhdim…