Aktualitet

Nuk deklaroi mbi 31 mijë paundë, arrestohet 32 vjeçari në Portin e Durrësit!

Fshehu në furgon duke mos deklaruar shumën e mbi 31 mijë paundëve britanikë, pranga një 32 vjeçari në Portin e Durrësit. Gjatë kontrollit në mjet, policia i gjeti edhe veshje, vegla pune e pajisje elektroshtëpiake, të gjitha kontrabandë, pa fatura blerjeje ndaj u sekuestruan.

Një 32-vjeçar me banim në Tiranë është arrestuar nga policia në Portin e Durrësit, pasi po tentonte të fuste në Shqipëri një shumë parash, 31 mijë e 120 paundë të futura në shasinë e furgonit pa i deklaruar. Burimi i parave është i dyshimtë. Gjatë kontrollit në furgon nga policia u gjetën veshje, vegla pune dhe pajisje elektroshtëpiake, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara pasi nuk kishin fatura blerjeje.

Makina, paratë dhe të gjithë sendet e gjetura në automjet u sekuestruan. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.