Aktualitet Sport

Notat e Kombëtares pas fitores ndaj Ukrainës, ja kush janë lojtarët më të vlerësuar te kuqezinjtë!

Shqipëria debutoi me fitore në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Djemtë kuqezi triumfuan në Pragë në stadiumin “Epet Arena” kundër Ukrainës me rezultatin 2-1.

Një ndeshje e dominuar nga Shqipëria që krijoi raste të shumta shënimi dhe triumfoi falë golave të Ardian Ismajlit dhe Jasir Asanit.

Në vlerësimet e bëra nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”, lojtari me notën më të lartë rezulton Ardian Ismajli, 8.3, ndërkohë që “podiumi” plotësohet nga Jasir Asani që shënoi golin e dytë, si dhe Rei Manaj, që asistoi për Asanin.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho vlerësoi punën e bërë nga kuqezinjtë, ndërsa tha se në fushë futen gjithnjë për të marrë fitoren. Trajneri i kuqezinjve tha se kanë bërë shumë punë për të arritur deri këtu.

“Asnjë trajner nuk e nis një ndeshje për të barazuar apo humbur. Kemi luajtur edhe ndeshje me ekipe të forta si Spanja. Jemi futur gjithmonë në fushë, për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm. (…) “Kemi punuar shumë, ne dhe gjithë stafi për të arritur në këtë pikë ku jemi sot”, tha Sylvinho për “Klan Kuq e Zi”.

Një vlerësim kishte për Nedim Bajramin, për të cilin thotë se është një talent.

“Jemi shumë të kënaqur me performancën e Bajramit, mund të luajë në shumë role. Është përmirësuar në lojën pa top. Mund t’i bëjë gjitha gjërat. Është një talent. Jemi shumë të kënaqur”, vijoi Sylvinho.