Aktualitet Politikë

Normaliteti në Kuvend, Spiropali-Alibeajt: Gati të ulemi me opozitën, në çdo kohë!

Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali iu përgjigj thirrjes së Enkelejd Alibeajt, kreut të Partisë “Djathtas 1912”, i cili i kërkoi maxhorancës të ulej e të bisedonte me opozitën për të zhbllokuar situatën e tensionuar prej disa javësh në Kuvendin e Shqipërisë. Spiropali deklaroi se janë gati të ulen në çdo moment për të diskutuar me opozitën.

Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo kohë, ama të ulemi në karriget në të cilat na kanë zgjedhur qytetarët, jo t’i djegim. Për zjarrin që vënë të tjerë, ju më mirë se kushdo e dini se cili është autor dhe arsyet. Por duke mos i hyrë problemeve të brendshme tuajat, për të cilat edhe ju jeni bashkëvuajtës si ne të gjithë, po ju them edhe një herë, që jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë, përfshirë Konferencën e Kryetarëve dhe Byronë dhe gjithçka tjetër, për të bërë të mundur që deputetët e nderuar të opozitës të gjejnë një mënyrë dinjitoze pë t’u kthyer sërish në Kuvend, siç e gjetëm në janar.

Spiropali theksoi se nuk mund të vijohet me përsëritjen në mënyrë ciklike të situatave artificiale që nuk burojnë nga problemet e parlamentarizmit të kësaj salle.

E kuptoj që është e vështirë, por nuk mund të vijojmë në mënyrë ciklike të përsërisim situata të tilla, krejtësisht artificiale që nuk burojnë nga problemet e parlamentarizmit të kësaj salle, por burojnë nga problemet e thella që kanë partitë politike shqiptare.

Më herët, Alibeaj deklaroi:

Ju e shikoni fare mirë që ky Parlament nuk po kryen funksionin parësor të vetin. Këtu gjysma nuk është dhe e di pse? Sepse ju, para një muaji përjashtuat gjysmën e këtij Parlamenti. Nuk i futem arsyeve se, si dhe pse. Por keni parasysh se përgjegjësia për funksionimin e këtij Parlamenti i takon maxhorancës. Dhe e keni në dorë. E kuptoj arsyen pse e bëni, siç e bëtë një vit më parë. Kërkoni të krijoni një konflikt artificial, sepse përfituesit jeni ju, në dëm të qytetarëve shqiptarë. Jua tha dje raporti i progresit i BE-së: Keni përfituar në dy raste, në Amnistinë Penale dhe në rastin e listave të mbyllura të të ashtuquajturës Reformë Zgjedhore.