Bota

Nobeli në Ekonomi 2024, njihuni me fituesit!

Çmimi Nobel në Ekonomi, i cili mbyll sezonin 2024, sot shpërbleu turko-amerikanin Daron Acemoglu dhe britaniko-amerikanët Simon Johnson e James A. Robinson për kërkimin e tyre mbi të kuptuarit e dallimeve në prosperitet midis kombeve.

Studiuesit, të cilët të tre që punojnë në SHBA, u dalluan për studimet e tyre se si formohen institucionet dhe ndikojnë në prosperitet, shpjegoi juria në konkluzionet e saj.

Këtë vit, Çmimi Nobel për Paqe iu dha grupit japonez, Nihon Hidankyo, një organizatë e të mbijetuarve të sulmeve me bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. Vazhdimisht ata kanë bërë thirrje për braktisje të armëve bërthamore.

Komiteti Norvegjez i Nobelit e publikoi njoftimin në Oslo, duke zgjedhur këtë grup mes 197 individëve dhe 89 organizatave të kandiduara. Çmimi ka vlerën e rreth 1 milion dollarëve. Vitin e kaluar, iu akordua aktivistes iraniane për të drejtat e grave, Narges Mohammadi e gjendur në burg për shkak të përpjekjeve kundër shtypjes së grave në Republikën Islamike.

Çmimi iu dha në kohën kur gratë e pambuluara po nxisnin emancipimin, pavarësisht represionit. Presidentja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, shprehej:

Mohammadi është një grua, një avokate e të drejtave të njeriut dhe një luftëtare lirie. Komiteti Norvegjez i Nobelit nderon luftën e saj të guximshme për të drejtat e njeriut. Ky çmim është vlerësim edhe për qindra mijëra njerëz që kanë demonstruar kundër regjimit iranian.

Ndërkaq, këtë vit tërhoqi vëmendjen edhe Nobeli i Letërsisë që i shkoi një koreano-jugoreje. Autorja Han Kang, fitoi për “prozën e fuqishme poetike që konfronton trauma historike dhe shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore”. Në ditën e shpalljes së vendimit, juria theksoi:

Ajo ka një vetëdije unike për lidhjet mes trupit dhe shpirtit, jetës e vdekjes. Stili i saj poetik dhe eksperimental është bërë inovator në prozën bashkëkohore.

Këto fjalë u nënvizuan nga Anders Olsson, drejtues i Komitetit të Nobelit, përmes një deklarate. Han Kang, koreano-jugorja e parë që fiton Nobelin për Letërsinë, e ka nisur karrierën më 1993-shin me publikimin e disa poemave ndërsa në prozë ka debutuar në vitin 1995, me krijimin me titull “Love of Yeosu”.

Famën ndërkombëtare e mori me novelën “The Vegetarian”. Vitin e kaluar me këtë çmim u nderua shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse. Nobeli ka vlerën e rreth 1.1 milion dollarëve. Ky vlerësim që ndahet për arritje në shkencë, letërsi dhe paqe u krijua me dëshirën e shpikësit të dinamitit, suedezit Alfred Nobel.