Nga agjencia e udhëtimeve “Planet Cruise” është pagëzuar si “Tregu më i mirë i Krishtlindjeve në botë” e këtë vit blerësit po kthehen në Bryant Park të Nju Jorkut. Në tregun “Holiday Shops” që administrohet nga kompania “Urbanspace”, duket se bizneset e vogla janë të etur për të nxjerrë fitime këtë vit ndërsa pandemia koronavirus i dëmtoi rëndë në dy sezonet e fundit festive. Në Bryant Park të qytetit të Nju Jorkut, tashmë njerëzit kanë filluar të mblidhen për të blerë artikuj të Krishtlindjeve. Për sipërmarrësit kjo është mundësi e mirë që të kompensojnë humbjet e dy viteve të fundit.
Për shekuj me radhë, tregjet e Krishtlindjeve kanë qenë të njohura në Gjermani, Austri e të tjera pjesë të Europës. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato janë bërë më popullore në dekadat e fundit, duke u shfaqur në Çikago, Atlanta, San Françisko e shumë qytete të tjera.
Në Nju Jork, tregu i festave në Grand Central dhe ai në Union Square u hapën në vitin 1993. Tani, kompania “Urbanspace” ka nën administrim tre tregje festash në Nju Jork: Bryant Park, Union Square e Columbus Circle.
Për shkak të pandemisë, pati shumë kufizime gjatë sezonit të festave në vitin 2020, kur u hap me kufizime vetëm tregu në Bryant Park e që vitin e kaluar qëndroi i hapur me kapacitet të plotë. Por ai në Union Square ishte me 80 për qind kapacitet dhe tregu në Columbus Circle, me 50 për qind.
Këtë vit, përveç hapjes me kapacitet të plotë të të tre tregjeve, “Urbanspace” ka menduar zgjerimin duke hapur një tjetër treg gjatë sezonit të festave, në Brooklyn.
Në muajt nëntor dhe dhjetor, sezoni i blerjeve për festa është kyç për shumë biznese pasi ato mund të përbëjnë rreth 20 për qind të shitjeve të tyre vjetore.
Përgatitja për tregjet e festave kërkon punë intensive, për shkak se shumë biznese të vogla duhet t’i blejnë mallrat në distanca të largëta e gjithashtu detyrohen të plotësojnë personelin.
Por, pronarët e bizneseve të vogla thonë se kjo është një përpjekje e rëndësishme për të vendosur kontakte me klientët, si edhe për të promovuar produktet e tyre të sezonit të festave.