Si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të njohë vitet e punës për të gjithë ata qytetarë që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore deri në vitin 1991, ish-ndërmarrjet bujqësore deri më 1992-shin apo ish-ndërmarrjet shtetërore deri në tetor 1993.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori Astrit Hado shpjegon se procesi do të ndiqet nga vetë Instituti dhe se qytetari ka detyrimin të paraqesë vetëm një certifikatë përmes të cilës vërteton se banues i kujt fshati ka qenë për rastet e kooperativave e ndërmarrjet bujqësore dhe cilit qytet për ndërmarrjet shtetërore.
ISSH-ja ka hartuar ndryshimet ligjore, që iu nënshtruan konsultimit publik e pritet të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave. Hado thekson se projektligji siguron që pensionin minimal të mund ta përfitojnë të gjithë qytetarët, në mbarë vendin, pavarësisht nëse kanë punuar apo jo, nëse kanë punuar me kohë të plotë apo të pjesshme.
Mjafton të paraqesë një certifikatë që vërteton se ku ka banuar.
Synohet që përmes këtij projektligji, të mundësohet njohja e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit e mbi të gjitha, mundësohet përfitimi i një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social.
Si përparësi dhe efekte të pritshme, drafti ka rritjen e mirëqenies së pensionistëve nëpërmjet përfitimit të pensioneve më të larta, si edhe eliminimin e shpenzimeve gjyqësore për përfituesit e shmangien e proceseve gjyqësore dhe ankimimeve në komisionet rajonale e qendrore të ISSH-së.
Për qytetarët që kanë nisur punën 14 vjeç në ish-kooperativa dhe 15 vjeç në ish-ndërmarrjet shtetërore, vitet që do të deklarohen nga vetë ata, pritet të verifikohen nga ISSH-ja e të paguhen për aq sa do të rezultojë në sistemet e ISSH-së.
Për kategoritë që pretendojnë se kanë bërë punë më të mira se punëtor i thjeshtë, ne do t’i verifikojmë në regjistrat e ISSH-së e do t’i paguajmë. Nuk do të çojmë më asnjë njeri në gjyqe.
Kur në kërkesat për caktim pensioni, deklarohen periudha në subjekte, detyra e funksione specifike, llogaritja e të cilave sjell efekte pozitive në masën e pensionit, me dakordësinë e kërkuesit, parashikohet të ndiqet procedura ligjore në fuqi për shqyrtimin, vlerësimin dhe njohjen e tyre për efekt përfitimi në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Sipas analizës financiare, në vitin e parë të zbatimit, kostoja e shtuar rezulton rreth 40 milion lekë. Gjithashtu, në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh, kostoja për këta përfitues është rreth 600 milion lekë. Efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite, rezulton në rreth 5 miliardë lekë. Sipas Hados, nga ky ligj parashikohet të përfitojnë rreth 40 mijë qytetarë.