Njohja e dy nënave dhe të drejtat e babait, ndryshime në ligjin familjar në Gjermani!

Forcimi i të drejtave të baballarëve që nuk janë të martuar me nënën e fëmijës është një nga pikat e reformës së ligjit familjar në Gjermani. Cilat janë ndryshimet e tjera?

Në Gjermani, në të ardhmen një burrë do të mund të marrë automatikisht kujdestarinë për fëmijën pas njohjes së atësisë, nëse prindi tjetër nuk bën kundërshtim brenda një muaji. Ndër tjetrash, këtë parashikon reforma e ligjit të familjes, të cilën Ministri Federal i Drejtësisë Marco Buschmann dëshiron ta aprovojë në një afat të shkurtër.

Fëmijët duhet të deklarohen

Po ashtu duhet të forcohet edhe pozita juridike e vetë fëmijëve. Kështu, për shembull, një fëmijë i prindërve të ndarë mund të paraqesë një kërkesë për rimarrjen e një vendimi për kujdestarinë e dhënë që nga mosha 14 vjeç. Në propozimin e reformës theksohet e drejta e fëmijës për të ditur origjinën e tij, në rast të adoptimeve.

Buschmann donte t’i propozonte qeverisë për diskutim reformën e tij të ligjit familjar tani në vjeshtë. Por disa parti brenda koalicionit mendojnë se duhet të bëhen edhe disa ndryshime të tjera. Për të përshpejtuar të gjithë procesin, Buschmann ka ftuar përfaqësuesit e autoriteteve juridike në një takim më datën 25 tetor.

Birësimi dhe njohja më e lehtë e dy nënave

Kjo reformë është sigurisht interesante për njerëzit që duan të birësojnë një fëmijë. Në këtë fushë është planifikuar liberalizimi i rregullave aktuale. Në të ardhmen, edhe çiftet e pamartuara mund të adoptojnë një fëmijë. Sipas propozimeve të reja, çiftet lezbike nuk duhet të kalojnë procesin e adoptimit në qoftë se njëra nga dy gratë që janë bashkë lind një fëmijë me ndihmën e spermës së dhuruar. Në propozim thuhet: “Përveç nënës së lindjes futet edhe materniteti i një gruaje të dytë, në mënyrë që një fëmijë të ketë tashmë dy nëna në bazë të ligjit për prejardhjen”.

Ligji për origjinën duhet të përfshijë edhe udhëzime për njerëzit që ndryshojnë gjininë e tyre, për ata që nuk identifikohen me asnjë gjini si dhe për ata që janë interseksual. Për Buschmann, në këtë reformë është e rëndësishme që të krijohen ligjërisht modele të reja familjare, por njëkohësisht të mos ndryshohen disa pika të rëndësishme. Ato përfshijnë, për shembull: “Një fëmijë mund të ketë në të ardhmen vetëm dy prindër të ligjshëm, si dhe: “Një grua që lind një fëmijë është gjithmonë nëna e fëmijës, pa u kontestuar roli i saj ligjor”.

Kujdestaria për fëmijët

Baballarët në veçanti duhet të përfitojnë nga një pikë e reformës. Kjo nënkupton se prindi që kujdeset më pak për fëmijën  duhet të paguajë më pak alimentacion, përveç nëse është rënë dakord për modelin 50:50. Por kujdesi nuk mund të jetë më i vogël se 29 për qind.

Nëse ka mosmarrëveshje për çështjet e përditshme ndërmjet prindërve që kanë kujdestarinë e përbashkët, atëherë prindi me të cilin fëmija një kohë më të gjatë, do të ketë të drejtën të vendosë për këto çështje. Për shembull, nëse fëmija do të shkojë në mësime noti të enjten apo jo, këtë mund ta vendosë vetëm ky prind. Por parashikohen edhe shumë raste kur duhet të arrihet marrëveshje mes prindërve, në qoftë se aktivitetet e zvogëlojnë kohën që prindi tjetër duhet të kalojë me fëmijën. Ndërsa disa çështje duhet të vendosen bashkë nga prindërit.

Mbrojtje nga një prind dhunues

Reforma parashikon ndryshime edhe në qëndrimin ndaj dhunës në familje, ku forcohet mbrojtja e fëmijëve. Ligji për mbrojtjen nga dhuna duhet të lejojë gjykatat të urdhërojnë që dhunuesi të marrë pjesë në ndonjë kurs për tejkalimin e problemeve. Gjithashtu gjykata duhet të vendosë, nëse është e nevojshme të ndërpritet kontakti i prindit dhunues me fëmijën për të garantuar mirëqenien e fëmijës dhe të prindit tjetër. /DW/