Stina e dimrit është stina në të cilën virozat e ftohjes dhe gripit janë më të shpeshta. Arsyet nuk janë vetëm temperaturat e ulëta por edhe mungesa e rrezeve të diellit. Këta dy faktorë ulin rezistencën dhe dobësojnë sistemin imunitar. Konsumi i rregullt i disa ushqimeve na ndihmon të rrisim forcën e trupit për të luftuar patogjenët sezonal. Këto ushqime janë të pasura me minerale, vitamina dhe fitokimikate të cilat ndihmojnë në eliminimin e mikrobeve, forcojnë imunitetin dhe ulin inflamacionin dhe simptomat e zakonshme të gripit. Shmangni ftohjet, gripin dhe sëmundjet e tjera të stinës duke përdorur këto ushqime.
1. Çaji i zi
Çaji i zi është i pasur me një grup përbërësish që luftojnë patogjenët dhe mbrojnë kundër një sërë infeksionesh virale. Gjethet e çajit përmbajnë polifenole, katekina dhe alkaloide si: kafeina, teobromina dhe teofilina që mbrojnë bimët kundër baktereve dhe viruseve. Hulumtimet tregojnë se çaji i zi mund të pengojë plotësisht infektimin nga viruset e gripit.
2. Hudhra
Hudhra përmban alicin dhe dialil trisulfid të cilat luftojnë viruset, duke përfshirë gripin, rinovirusin, citomegalovirusin (një lloj virusi herpes), herpes simplex, HIV, pneumoni virale dhe rotavirus. Në një studim, njerëzit që morën ekstrakt alicin gjatë një periudhe 12-javore kishin dukshëm më pak ftohje sesa një pjesë tjetër që nuk kishte marrë alicin.
3. Kërpudhat shiitake
Kërpudhat shiitake janë të përbëra nga beta-glukane, të cilat kanë treguar se pengojnë riprodhimin e viruseve dhe përmirësojnë funksionin imunitar. Në një studim, njerëzit që hëngrën kërpudha shiitake për katër javë, kishin përmirësim të imunitetit, si dhe ulje të inflamacionit. Studime të tjera kanë treguar se kërpudhat shiitake kanë veti të rëndësishme antibakteriale dhe mbrojnë 85% kundër mykut dhe organizmave të tjerë.
4.Xhixher
Xhinxheri është përdorur prej kohësh në mjekësinë tradicionale për trajtimin e ftohjes dhe gripit. Studimet tregojnë se ka përfitime të matshme kundër virozave të stinës. Në një studim, xhixheri i freskët mbron nga HRSV (virusi sincicial i frymëmarrjes), një shkaktar kryesor i infeksioneve të traktit të poshtëm të frymëmarrjes, duke bllokuar aftësinë e virusit për t’u bashkuar me qelizat dhe duke stimuluar çlirimin e përbërësve që ndihmojnë kundër virozave të stinës.
5. Uthull molle
Uthulla e mollës është një tjetër antivirus tradicional dhe një numër studimesh kanë vërtetuar aktivitetin antimikrobik të uthullës së mollës kundër një sërë patogjenësh. Studiuesit tregojnë se uthulla e mollës mund të funksionojë me një sërë mekanizmash, duke përfshirë vetitë antivirale të mollëve dhe praninë e probiotikëve që ndodhin gjatë procesit të fermentimit.
6. Kanella
Kanella është përdorur në mjekësinë bimore për qindra vjet dhe studimet kanë treguar se kanella ka efekte antivirale, antimikrobike dhe anti-inflamatore. Në një studim, cinnamaldehidi, përbërësi që i jep kanellës aromën karakteristike të saj, pengoi rritjen e virusit të gripit. Cinnamaldehidi gjithashtu parandalon baktere të tjera dhe mbron nga një shumëllojshmëri të majave dhe kërpudhave, duke përfshirë Candida albicans.