Arkeologët në Kinë kanë zbuluar mbetjet e atij që mund të jetë tualeti më i vjetër në botë me shpëlarje. Copëzat e tualetit 2400-vjeçar u gjetën verën e kaluar në rrënojat e një siti arkeologjik rreth qytetit Xi’an në qendër të Kinës. I përshkruar nga kërkuesit si një objekt luksi për kohën, tualeti mendohet se ka qenë i vendosur në një pallat, ndërsa tubi i shkarkimit dilte jashtë mureve.
Liu Rui, studiues i Institutit të Arkeologjisë në Akademinë Kineze të Shkencave Shoqërore, i cili ishte pjesë e skuadrës që kreu gërmimet, tha për median shtetërore kineze se ky tualet me shumë gjasa ka qenë përdorur nga zyrtarë elitarë në vitet 475-221 para erës sonë, si dhe në periudhën e vonë të Dinastisë Han, në vitet 206 para erës sonë e deri në vitet 220 të erës sonë. Sipas tij, çdo herë që tualeti përdorej, shërbëtorët hidhnin ujë në tualet.
Për ironi të fatit, tualetet me ujë mbeten problem edhe sot në Kinën moderne. Presidenti kinez Xi Jingpin premtoi në fillim të mandatit të tij të parë se do të transformonte tërësisht sistemin e tualeteve në vend, si pjesë e një fushate për të përmirësuar higjienën në zonat rurale të vendit.
Para këtij zbulimi, shpikja e tualetit me ujë i atribuohej oborrtarit anglez John Harington, i cili supozohet se e instaloi tualetin me ujë për Mbretëreshën Elizabeth në shekullin XVI. Gjithashtu, në veriperëndim të Indisë janë zbuluar gjurmë të një sistemi kanalizimesh 4000-vjeçar.