E keni pyetur ndonjëherë veten se si është të jetosh në një nga vendet më të pazakonta të planetit, që shumë pak kanë dëgjuar për një qytet të tillë? La Rinconada është qyteti që është “më afër qiellit”. Ky vend, në Andet peruane në 5.100 metra mbi nivelin e detit, ka marrë titullin famëkeq të “ferrit në Tokë”.
YouTuber-i dhe autori i dokumentarëve, Ruhi Çenet, njihet si një udhëtar i zjarrtë dhe atë e tërheqin veçanërisht vendet e vështira për t’u arritur. Për këtë arsye ai vendosi të vizitojë Perunë. Dokumentari i tij për La Rinconada ka mbi 37 milionë shikime dhe tregon jetën në këtë qytet.
La Rinconada është vendbanimi më i lartë në botë. Ndodhet në 5.100 metra mbi nivelin e detit dhe për këtë arsye është plot 300 metra më i lartë se maja e Mont Blanc-ut. Për shkak të kësaj lartësie mbidetare, kushtet klimatike janë më të ngjashme me ato në bregun perëndimor të Groenlandës sesa diku tjetër vetëm 14 gradë nga ekuatori.
Në këtë lartësi ekstreme, atmosfera është mjaft e rrallë, kështu që jetëgjatësia është 35 vjet. Popullsia lokale jeton me vetëm 50% të nivelit normal të oksigjenit. Megjithatë, trupat e tyre kanë evoluar për të prodhuar dy herë më shumë qeliza gjaku se të tjerët.
Pavarësisht kushteve të tmerrshme, më shumë se 50 mijë njerëz që ëndërrojnë për pasuri të madhe janë vendosur atje. Përkatësisht, qyteti ndodhet pranë një miniere ari. Ndërmjet viteve 2001 dhe 2009, kur çmimi i arit u rrit me 235%, popullsia u rrit me 30,000.
Shumë minatorë punojnë në një minierë ari ku ka një sistem të pazakontë – ata punojnë 30 ditë pa pagesë dhe një ditë mund të punojnë për veten e tyre. Këtë ditë mund të marrin aq minerale sa mund të mbaj mbi supe. Qyteti nuk ka ujësjellës dhe kanalizime, si dhe është shumë i ndotur. Një problem i madh shëndetësor për shkak të lartësisë së madhe është hipoksia, e cila, sipas studiuesve, prek të paktën 25% të popullsisë. Ndotja me mërkur është gjithashtu një problem, ndërsa ka vetëm një klinikë të vogël në qytet.