Aktualitet Sociale

Njihen periudhat e punës në ish-ndërmarrjet shtetërore para ’94-ës/Projektligji për konsultim!

Për konsultim publik, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit publikoi  projektligjin “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”. Drafti ka qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, të periudhave të punësimit në ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrje bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore.

Objektivi që synohet të arrihet nëpërmjet miratimit të këtij projektligji, është njohja e periudhave të punës në institucionet dhe në ish-ndërmarrjet shtetërore deri më 1 tetor 1993.

Grumbullimi i dokumentacionit të vjetërsisë në punë para vitit 1994, të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve shtetërore, ndërmarrjeve bujqësore dhe kooperativave bujqësore, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për sistemimin, ruajtjen dhe shfrytëzimin e dokumentacionit të sigurimit të punonjësve të ish-kooperativave bujqësore, ndërmarrjeve dhe institucioneve që kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre, ose janë në procesin e mbylljes”, sistemimi, administrimi dhe shfrytëzimi i tij, në strukturat arkivore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, evidentoi problematika të konsiderueshme, si: mungesë e plotë të dhënash, të dhëna të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, identitete të pasakta, fletë të dëmtuara, mungesë dokumentacioni për subjekte të caktuara, etj.

Për shkak të problematikave të sipërpërmendura dhe kompetencave të kufizuara të strukturave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, periudha të konsiderueshme vjetërsie në punë, nuk janë konfirmuar dhe nuk janë njohur administrativisht, me pasojë refuzimin e kërkesave për caktim pensioni, sepse duke qenë se në shumë raste kërkuesit nuk kishin periudha kontributive pas vitit 1994, nuk plotësohej kushti minimal i periudhës së sigurimit, gjë që ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesë padi për njohjen e këtyre periudhave, proces i cili zgjat në kohë dhe ka shpenzime të mëdha, e shpesh të papërballueshme.

Miratimi i këtij projektligji, do të mundësonte njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha do të mundësonte përfitimin e një pensioni, të pakten sa masa e pensionit social.

Kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ndryshojnë sipas gjinisë dhe për vitin 2024, mosha për përfitimin e pensionit të pleqërisë për burrat është 65 vjeç, për gratë është 61 vjeç e 8 muaj, ndërsa periudha minimale e sigurimit është e njëjtë për të dyja kategoritë, 15 vite.

Sipas analizës financiare kostoja e shtuar, në vitin e parë të zbatimit, rezulton rreth 40 milionë lekë. Gjithashtu në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh, kosto për këta përfitues si rezultat i përfitimit nga ky ligj është rreth 600 milionë lekë.

Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite rezulton në rreth 5 miliardë lekë.