Thyerja e zakonit të shikimit të tepruar në televizor mund të parandalojë mijëra njerëz që të zhvillojnë sëmundje të zemrës, pohon një studim. Shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit tani këshillojnë uljen e kohës ditore të TV në më pak se një orë. Ata zbuluan se të rriturit që rrinin ulur duke parë për më gjatë kishin deri në 16% më shumë gjasa për t’u goditur nga sëmundjet e zemrës.
Llogaritjet treguan se një në 10 raste mund të parandalohej nga njerëzit që shikonin më pak TV. Simptomat më të zakonshme të sëmundjes koronare të zemrës janë dhimbja në gjoks (angina) dhe gulçimi. Rrit gjithashtu rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru. Ekspertët përdorën të dhëna shëndetësore nga 373,026 britanikë dhe shikuan gjithashtu ndjeshmërinë e tyre gjenetike ndaj sëmundjeve të zemrës. Vullnetarët u gjurmuan për 13 vjet.
Rezultatet treguan se njerëzit që shikonin TV për më pak se një orë në ditë kishin 16% më pak gjasa të prekeshin nga sëmundje koronare të zemrës, se sa ata që rrinin ulur duke parë seriale për katër orë ose më shumë. Për ata që shikonin dy deri në tre orë TV në ditë, kishte një rrezik 6% më të ulët të zhvillimit të sëmundjes, krahasuar me njerëzit që shikonin më shumë se katër orë.
Rikujtojmë, se një ekip nga ‘King’s College’ në Londër arriti të rigjenerojë qelizat e zemrës të dëmtuara nga një atak në zemër te kafshët, duke përdorur teknologji të ngjashme me atë të vaksinave anti-COVID të Moderna dhe Pfizer. Trajtimi, nëse rezulton efektiv edhe te njerëzit, do të jetë revolucionar. Shkencëtarët kanë identifikuar molekula të vogla të ARN-së (të quajtura mikroARN) të afta për të prodhuar proteina që stimulojnë rritjen e qelizave të reja të shëndetshme të zemrës. Rezultatet e studimit u publikuan në revistën ‘Current Opinion in Genetics & Development’.