Ndërsa jemi në sezonin turistik, përveçse për numrin e lartë të turistëve që e përzgjedhin, Saranda vijon të jetë një nga destinacionet kryesore të vendit tonë për ankorimin e jahteve luksoze. Dhe duke mbetur të mjetet lundruese, këto ditë tërhoqi vëmendjen një vizitor i veçantë, disi “i moshuar”, por që nuk njeh moshë e që ka hyrë në histori.
Porti i Sarandës bën të ditur se “një ikonë e vërtetë, jahti velier 121-vjeçar me tre shtylla veliere, Shenandoah of Sark, ka vizituar këto ditë qershori Sarandën dhe është ankoruar në kalatën e jahteve në port”.
Jahti me një gjatësi prej 44 metrash dhe 8.17 metra i gjerë, me peshë 300 GT, kombinon pamjen klasike me pajisje moderne për komoditetin maksimal të ofruar në bordin e tij.
I ndërtuar në vitin 1902 në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i rinovuar në vitet 2018-2019, veçon për performancë e lundrim në distanca të gjata në oqean dhe i ka shëtitur turistët e vet në cepat më të largët të botës, madje në kushte ekstreme.
Por, jo vetëm kaq. Me emrin e tij lidhet një nga filmat më të famshëm të Hollivudit “Agjenti 007”, “Golden Eye” me personazhin e njohur James Bond.
Nga janari deri në qershor, Saranda ka tërhequr një numër të lartë turistësh të huaj, që në jugun turistik kanë hyrë me kroçera e jahte.