Një urë e lashtë e zhytur në një shpellë në ishullin spanjoll të Mallorca-s po i ndihmon studiuesit të përcaktojnë se kur njerëzit u vendosën për herë të parë në ishujt përgjatë Detit Mesdhe, mijëra vjet më parë. Një analizë e re e urës 7.6 metra të gjatë brenda shpellës Genovesa, ka zbuluar se njerëzit kanë jetuar në Mallorca, një nga ishujt më të mëdhenj në Mesdhe, shumë më herët nga sa besohej më parë.
Mungesa e të dhënave të shkruara dhe evidencave të kufizuara arkeologjike e kanë bërë të vështirë përfundimin se kur njerëzit u vendosën në ishujt e Mesdheut. Disa formacionet minerale të zbuluara në urë, i kanë lejuar shkencëtarët të vlerësojnë se struktura është ndërtuar gati 6000 vjet më parë. “Prania e kësaj ure të zhytur dhe objekteve të tjera tregon një nivel të sofistikuar, duke nënkuptuar se kolonët e hershëm njihnin burimet ujore të shpellës dhe infrastrukturën e ndërtuar në mënyrë strategjike për të lundruar në të”-thonë arkeologët.
Ura është bërë nga blloqe të mëdha dhe të rënda gëlqerore, por mbetet e paqartë se çfarë mekanizmash u përdorën nga njerëzit e lashtë të ndërtonin urën. Ura e shpellës u zbulua për herë të parë në vitin 2000. Disa vite më pas, një studim i shkruar në gjuhën katalanase vlerësoi se ura ishte 3500-vjeçare, bazuar në qeramikën e gjetur në një nga dhomat e shpellës. Që atëherë, hulumtime të tjera sugjeruan se një prani njerëzore mund të ketë qenë në ishull 9000 vjet më parë, por ruajtja e dobët e materialeve i shtyu studiuesit të vënë në dyshim atë afat kohor.
Ura ka të ngjarë të ishte përdorur për 400 deri në 500 vjet, përpara se rritja e nivelit të detit të bënte që liqeni i shpellës të mbulonte urën. Ekipi nuk ka prova të qarta se si njerëzit e lashtë e përdorën shpellën, por ka disa skenarë. Zhytësit e shpellave kanë gjetur mbetje fosile nga një specie dhie tashmë e zhdukur që dikur jetonte në ishullin e njohur si Myotragus balearicus.
Ata zbuluan gjithashtu qeramika brenda në hyrjen e shpellës. Kjo sugjeron se njerëzit mund të kenë përdorur zonën për të jetuar. Ka dëshmi të shtëpive dhe strukturave të vogla prej guri të bëra në Mallorca midis 2000 dhe 4500 vjet më parë. Pra, ka të ngjarë që ura e shpellës të jetë një pararendëse e punimeve më të mëdha dhe më të sofistikuara prej guri të gjetura në ishull.