Në Shtetet e Bashkuara, zona lindore e Nju Orlinsit u godit nga një tornado që shkaktoi dëme të rënda materiale, ndërsa la 18 mijë shtëpi pa energji elektrike.
Bilancet paraprake flasin për një viktimë e disa të plagosur. Arabi rezulton lagjia më e prekur nga pasojat e motit të keq. Pikërisht aty, shërbimet amerikane të emergjencave po kërkojnë të kuptojnë nëse ka të plagosur apo persona të mbetur të bllokuar. Erërat e forta shkulën çati të shtëpive, në të njëjtin rajon që 17 vite më parë u përball me furinë e uraganit Katrina.
Imazhet e postuara në rrjetet sociale tregojnë tornadon që kalon nëpër qytet e shkatërrimet që lë pas.