Filmi i shumëpritur “Spider-Man: No Way Home” pati premierën botërore në Los Angeles mbrëmjen e kaluar. Dhe Madison Beer ishte në mesin e yjeve që u shfaqën në tapetin e kuq për debutimin e vazhdimit të serive të filmit, me Tom Holland në rolin kryesor si Peter Parker dhe Spider-Man.
Beer kishte vendosur që në këtë mbrëmje të veçantë të vishte një fustan të kuq. Dhe gjejeni çfarë… Për fustanin e yllit u kujdes stilistja shqiptare e cila tashmë po bëhet një emër kryesor në industrinë e modës në botë, Nensi Dojaka. Për një dukje më të veçantë, ajo veshi edhe geta të zeza të tejdukshme, së bashku me një palë taka të larta.
Nensi Dojaka, e cila la Tiranën për Londrën, u kthye në një fenomen të modës brenda pak kohësh në London Fashion Week. Nensi sa vjen e po bëhet më e preferuara nga vajzat e showbiz-it. Në Tribeca Festival 2021, Emily Ratajkowski zgjodhi pikërisht stilisten tonë dhe veshja e saj në atë event e bëri supermodelen amerikane të shkëlqejë e gjitha veshur me një fustan të zi asimetrik.
Nensi gjithashtu ka stiluar veshjen e aktores shumë të njohur Sophie Turner, një arritje shumë e madhe për të gjithashtu. Nëse mendonit se suksesi i Nensit mbaron me këto emra e keni gabim. Në eventin më të përfolur të MTV VMA stilistja mund të themi me plot gojë që na mahniti të gjithëve me kostumin tepër të veçantë që stiloi për një ndër modelet më të përfolura të momentit, Bella Hadid.
Stilistja me origjinë shqiptare ka fituar së fundmi çmimin prestigjioz “LVMH Prize”, që jepet çdo vit nga “Louis Vuitton Foundation”. Ky çmim është më i rëndësishmi për të gjithë të rinjtë që po përpiqen t’ia dalin me sukses në tregun ndërkombëtar të modës. Nensi, në këtë rast fiton plot 300.000 euro fond nga shtëpia e famshme e modës për vazhdimësinë në tregun e veshjeve.