Autorja koreano-jugore, Han Kang, fitoi Çmimin Nobel për Letërsinë, më 2024-ën, për “prozën e fuqishme poetike që konfronton trauma historike dhe shpërfaq brishtësinë e jetës njerëzore”. Në ditën e shpalljes së vendimit, juria theksoi:
Ajo ka një vetëdije unike për lidhjet mes trupit dhe shpirtit, jetës e vdekjes. Stili i saj poetik dhe eksperimental është bërë inovator në prozën bashkëkohore.
Këto fjalë u theksuan nga Anders Olsson, drejtues i Komitetit të Nobelit, përmes një deklarate. Han Kang, koreano-jugorja e parë që fiton Nobelin për Letërsinë, e ka nisur karrierën më 1993-shin me publikimin e disa poemave ndërsa në prozë ka debutuar në vitin 1995, me krijimin me titull “Love of Yeosu”.
Famën ndërkombëtare e mori me novelën “The Vegetarian”. Vitin e kaluar me këtë çmim u nderua shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse. Nobeli ka vlerën e rreth 1.1 milion dollarëve. Ky vlerësim që ndahet për arritje në shkencë, letërsi dhe paqe u krijua me dëshirën e shpikësit të dinamitit, suedezit Alfred Nobel.
Çmimet ndahen prej vitit 1901. Më herët gjatë javës janë ndarë Çmimet Nobel për Mjekësinë, Fizikën e Kiminë. Çmimi Nobel në Mjekësi iu dha amerikanëve Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e tyre të mikroRNA-së, një parim themelor që sistemon mënyrën se si rregullohet aktiviteti i gjeneve. Asambleja e Nobelit tha se zbulimi i tyre “po provonte të ishte i një rëndësie themelore për mënyrën se si organizmat zhvillohen dhe funksionojnë”.
John Hopfield, shkencëtar pranë Universitetit Princeton dhe Geoffrey Hinton nga Universiteti i Torontos morën Çmimin Nobel në Fizikë për vitin 2024. Ata kanë punuar gjatë për kompjuterat që “mësojnë” duke siguruar vlerësimin e karrierës si pionerë të kërkimeve dhe vënies në zbatim të rrjetit nervor artificial, çka hedh bazat e Inteligjencës Artificiale moderne.
Një ditë më parë, shkencëtarët David Baker, Demis Hassabis dhe John Jumper fituan Çmimin Nobel në Kimi për vitin 2024, për punën e tyre me strukturën e proteinave. Tradicionalisht, Çmimi Nobel për Ekonomi ndahet në fund duke pasuar atë për Paqen që pritet me interes.