Celebrities Gossip Showbiz

Një rrëfim si asnjëherë më parë i aktores së njohur Renée Zellweger!

Aktorja Renée Zellweger që ngriti figurën e gruas mbi të 40-at në piedestal përmes Bridget Jones rrëfen se rolet janë të shenjtë, asnjë aktor, regjisor apo skenarist nuk i ndryshon dot, qoftë në pamje dhe karakter, ndryshe nuk do të ishin kaq të dashur dhe autentikë. Ajo rrëfen transformimet që i janë dashur të bëjë për të hyrë brenda personazheve të saj, pa vendosur asnjë kusht, edhe kur i është dashur të humbasë 20 kilogramë apo të ndrydhë ndonjë kavilje.

Kaloj shumë kohë vetëm. Unë vrapoj shumë, një lloj dëbimi fizik të çdo gjëje negative nga bota e jashtme. Edhe unë kam përgjegjësi dhe sfida si të gjithë, sëmurem apo mërzitem. Mundohem të mos shpenzoj kohë për gjëra që nuk kanë rëndësi. Sigurisht ka kaq shumë gjëra që nuk mund t’i kontrollosh; sidomos gjërat e paprekshme. Por ka disa gjëra që ju mund t’i kontrolloni dhe këto janë gjërat në të cilat unë fokusohem. Kur jam duke punuar, për shembull, gjithmonë përpiqem të përqendrohem në diçka që është e vërtetë, diçka që më lëviz në kontekstin e skenarit, përpiqem të përfshihem, të tregoj diçka përmes filmit, jo thjesht të besoj tek ai.

Në rolin e Judy Garland të kënduarit ishte sfidë, u përpoqa të negocioja me veten time për të bërë atë që duhej. Thjesht e kam ndjerë gjithmonë se kjo lloj shfaqjeje nuk ishte për dikë si unë, por kjo ishte diçka shumë e rëndësishme për regjisorin Rupert Goold, i cili ka pasur marrëdhënie shumë të ngushta me interpretuesit gjatë gjithë jetës së tij si regjisor teatri dhe donte që ajo të ishte një përfaqësim autentik i asaj që ndodh midis publikut dhe interpretuesit. Ai këmbënguli fort të ndihesha Judy dhe në fakt tani jam e kënaqur që ai arriti atë që donte të bënte. Interpretoja dhe bëja prova duke parë filmat e artistes sepse nuk mund të tregosh një histori për një nga aktoret dhe këngëtaret nga më të mëdhenjtë e kohës së saj pa e treguar se si ka qenë ajo në të vërtetë, pra ky ka qenë një proces shkëmbimi.

Si arritët të merrnit kontrollin e një situate në të cilën mund të mos ishit plotësisht rehat?

Sekreti, puna në ekip. Ishte fantastike sepse bëja prova çdo ditë me grupe të ndryshme. Kam punuar me kompozitorin e filmit dhe ai është i jashtëzakonshëm. Është një ekip i madh njerëzish, kisha një grup të tërë mamash në skenë, të cilat më tregonin se si duhet të sillesha me fëmijët. Bëja ushtrime kërcimi çdo ditë, e jo vetëm kaq, duhet të këndoja ndërsa kërceja në mënyrë që kënga dhe kërcimi të ecnin paralelisht.

Aktrimi mendohet si një aftësi natyrale dhe të bën të harrosh rolin e fundit që ke luajtur?

Unë nuk dua t’i zhgënjej partnerët e mi, është një bashkëpunim, janë qindra njerëz që punojnë për ta bërë këtë vepër arti të suksesshme, ndaj një aktor, nuk mund të thotë: ‘kjo është e pamundur’. Nuk dua t’i zhgënjej njerëzit, kjo ka rëndësi për të gjithë në filma. Është një punë, si çdo punë tjetër dhe ju dëshironi që ajo të ketë sukses, pra nuk ka justifikime personale. Performanca ime ishte identike me atë të Judy Garland, sepse e vlerësova jo thjesht si një rol, por si një njeri me kontribute të jashtëzakonshme.

A ka diçka për të cilën ju jeni fleksibël para se të pranoni një rol?

Mendoj se agjentët e çdo aktori kanë disa kushte para se të pranojnë një rol, por duhet gjithmonë së pari të duash personazhin dhe të hysh brenda tij me çdo kusht. Unë e doja rolin e Judy aq sa m’u desh që për dy javë mos haja fare, ndihesha e lodhur dhe pa oreks, kaloja dy orë në ditë duke bërë prova me proteza, lente kontakti dhe paruke për t’u shndërruar në Judy Garland, sepse ishte një film biografik i cili ka ndjeshmëri dhe respekt ndaj personazhit, ndaj nuk kisha se si të vendosja kushte para këtij personazhi.

Pra, dua të them, gjithmonë duhet gjetur fuqi dhe ekuilibër për të qenë krejt ndryshe. Kjo do të thotë që duhet të pranoni çdo lloj presioni. Sigurisht, askush nuk pret që kur dal në skenë të jem këngëtarja më e madhe që ka jetuar ndonjëherë. Njerëzit e prisnin vërtet Judy Garland… Mos harrojmë, ajo ka patur nivelin më të lartë artistik të çdo këngëtareje të brezit të saj, sepse kishte kënduar që kur ishte fëmijë, ndaj unë nuk mund të stonoja, duhej që personazhi të kishte ndjeshmëri.

Keni qenë e përfshirë së fundmi me nismat feministe, pse?

Unë u rrita duke e marrë të mirëqenë që gratë gjithmonë zgjedhin rrugët e tyre, se ato mund të mbanin poste të larta, por nuk ka qenë krejtësisht kështu. Betejat e grave janë akoma historike. Ato kanë të drejtën për të dhënë kontributin e tyre, të mendojnë dhe shprehin atë që duan, duke mos pritur të marrin leje për të shkruar një skenar apo të kandidojnë për një post.

Ngjan si Bridget, e cila tek të 40-at, do të arrijë çdo gjë që nuk ka mundur në jetë?

Mendoj se jo, sepse gratë, ashtu si burrat në çdo moshë duhet të kenë atë që dëshirojnë. Asokohe nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se ky rol do të më ndryshonte, por sot, kur e mendoj dhe shoh se si Bridget donte të realizonte gjithçka që nuk kishte arritur në jetë në një moshë jo fort të favorshme, kjo është krejt natyrale. Sot gratë duan karrierë dhe ndodh që martohen jo më 20 vjeçe, por 40, por kjo nuk do të thotë që ato do të privohen nga synimet e tyre në jetë, nuk duhet të mbyllen në shtëpi dhe të rritin fëmijët, duke lënë karrierën. Mendoj se jeta fillon pas të 40’-ave…!

Por ishte një mesazh pozitiv për kohët që po jetojmë…

Po, patjetër dhe unë jam e lumtur që ne sot kemi një shkrimtare femër, regjisore apo producente. Kjo më bën të buzëqesh që njerëzit i janë përgjigjur kaq pozitivisht mesazhit. Gratë duan të shohin histori për veten e tyre në ekran, histori me të cilat lidhet jeta e tyre. Shpresoj që kjo është diçka e fuqishme dhe që do të ndikojë tek shijet e njerëzve dhe të pranohen.

Po ju çfarë ju lidh me personazhin e Bridget?

Oh Zot shumë gjëra. Kryesisht në dështimet e saj, ngathtësinë e saj por edhe mënyra se si ajo arrin të ngrihet përsëri. Ajo është kaq frymëzuese, sado që përpiqet të përmbushë idealet e saj personale, ajo gjithmonë përpiqet të plotësojë veten vazhdimisht, përpos rënieve dhe ngritjeve, ajo nuk dorëzohet!