Bota

Një pjesë e Europës “digjet”, por shirat sjellin përmbytje e dëme në Gjermani!

Edhe sot Gjermania është pushtuar nga moti i keq, me shira të dendur, një ditë pasi stuhitë shkaktuan përmbytje masive, si dhe reagime të shumta emergjente në disa pjesë të vendit. Në qytetin jugperëndimor Rastatt, që ndodhet 90 kilometra në perëndim të Shtutgartit, stuhitë dhe shiu intensiv çuan në rreth 100 telefonata urgjente pasi bodrumet e nënkalimet ishin mbushur me ujë.

Sipas policisë gjermane, nuk raportohet për të lënduar, por priten dëme të konsiderueshme materiale. Ndërkohë, shirat kanë bërë që uji të rrjedhë në raftet e Bibliotekës Qendrore dhe Rajonale të Berlinit e punonjësit nuk humbën kohë, por morën kova për ta nxjerrë. Drejtori Jonas Fansa:

Këtu ka qindra mijëra libra, disa prej të cilëve janë të vjetër dhe në rrezik të madh!

Në shtetin gjerman Hesse, stuhitë e forta dhe përmbytjet çuan në ndërhyrje të shumta policore e shërbimet e emergjencave hoqën pesë pemë të rrëzuara nga dy autostrada. Në rajonin lindor të Saksonisë, një tren u përplas me dy pemë të rrëzuara, por nuk doli nga shinat.

Ndërkaq, kapriçot e motit kanë bërë që një pjesë tjetër e Europës, përfshirë Shqipërinë, të vuajnë të nxehtin afrikan. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se edhe sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme për shkak të masave ajrore të nxehta, me origjinë nga Afrika e Veriut.

Moti vijon i kthjellët në të gjithë territorin, përjashtuar vranësirat kalimtare në relievet kodrinore – malore të jugut e në lindje të territorit. Era fryn me drejtim veriperëndim – verilindje e me shpejtësi mesatare 1-8 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e në lugina, era bëhet relativisht intensive, si dhe fiton shpejtësi 10-16 m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë. Temperaturat variojnë 19-42 gradë celcius.

Edhe Greqia po përballet me temperatura ekstreme, ku kjo verë po bëhet gjithnjë e më përvëluese për qytetarët. Kryebashkiaku i Athinës ka nisur të zbatojë masa, duke mbjellë pemë, vendosur ajër të kondicionuar dhe stacione uji. “Prioritet që njerëzit e kryeqytetit të Greqisë, metropolit më të nxehtë të Europës kontinentale, të mbijetojnë gjatë verës. Pas një qershori që ishte më i nxehti në histori, rajoni i madh i Atikës ka përjetuar tashmë temperatura rekord të larta, si dhe zjarre.