E vogël, e vogël por punën e bën të madhe, kjo mund te jetë shprehja që i shkon përshtat Shqipërisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB ku mbajti presidencën për herë të parë. Kryeministri Edi Rama vazhdon të shndërrohet në një yll tik toku dhe jo vetëm me deklaratat e tij. Më e fundit erdhi kundra Rusisë. A kemi në këllqe t’i mbyllim gojen rusisë ne OKB?! Po pse jo në fund të fundit, na ka ardhur dita. Disa e panë si një gjest të pamatur të një vendi të vogël, disa të tjerë e duartrokitën, por megjithatë ia dolëm edhe njëhere të ishim në faqet e para te gazetave, për trimëri ama.
Partia Demokratike është futur në një vorbull që nuk po i dihet fundi. Disa me Bashën, disa me Berishën, disa me Bardhin, nuk ka ligë botërore që i bën dot bashkë. Lufta pro dhe kundër Amerikës vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, amerikanë andej, antiamerikanë këtej, a thua se jemi ne luftën e ftohtë. Por maratonomaku i betejave Lulzim Basha, më në fund pranoi që edhe a mund të ketë bërë gabime. Sali Berisha ka disa vite që thotë se partia do hapet, ndërkohë ajo ështe hapur aq shume saqë nuk ka njeri qe e mbledh më. Kjo situatë duket se do vazhdojë kshuqë mos u largoni nga një lajm dy të vërteta edhe për disa kohë.
Epoka e Safet Gjicit përfundoi, por në Kukës Partia Socialiste ka fituar simpati. Të paktën këtë e tregon fitorja e kandidatit socialist Albert Halilaj kundrejt kandidatit opozitar Emri Vata. 5000 vota diferencë as Gjjici nuk i kishte marrë në fitoren e stërmundimshme. Epo Kukësi duket se nuk është më blu, të paktën sipas votave. Nejse, nuk e dimë nëse kryebashkiaku i ri do të mbajë të njëjtën zyrë, nëse po, duhet higjienizuar patjetër.
Besoj e keni marrë vesh që Kodi i ri Penal na ka ftohur mendjen të gjithëve. Parakalimi i gabuar tani do të quhet vepër penale dhe do të dënohet deri në 3 vjet burg. Keshtu që kini kujdes kur ajo ju thotë jam vetëm në shtëpi sepse do të perfundoni po vetëm ne qeli. Kini kujdes edhe kur parkoni makinën sepse nëse bllokoni rrugën, tani makina juaj do të merret me karrotrec dhe do të bllokohet. Do thoni ju po çfarë na ngeli, parakalim jo, parkim jo, merrni biçikleta të dashur qytetarë. Shisni makinat dhe blini biçikletat, ça t’ju themi.
Të gjithë e kemi ditur se ajo ka një ballkon të madh, në shtepinë e saj, por Enca e paska keqpërdorur atë. Këngetarja shqiptare u arrestua nga policia pasi iu gjetën disa bimë kanabisi në shtepinë e saj, që siç tha ajo i kishte mbjellur për përdorim personal. Tani me siguri që ke qerasur dikë Enca se s’mund të kete qenë kaq personal. Gjithsesi ju të tjerët as mos e mendoni, edhe nëse e keni ballkonin e madh, binduni që nuk mund të mbillni asgjë në të, ballkoni është për të tjera gjëra, mbase për të korrur jo per të mbjellë.
Shqipëria drejt Euro 2024 nuk është më një ëndërr e parealizueshme. Kombëtarja e futbollit është më pranë se kurrë drejt kualifikimit në kampionatin europian. Mbështetja e tifozërisë ka qenë e jashtëzakonshme saqë nuk po na lini të kapim ndonje biletë. Të shiten biletat në kaq pak minuta tani lajm i mirë është, por edhe shumë te tjerë janë të mërzitur. Gjithsesi nuk na çalon puna këtu, ne na çalon puna në minutat e fundit. Shpresojmë ta kemi hequr atë mallkim të zi.
Jemi në vitin 2023, por të gjithë u tronditëm nga ajo që ndodhi në Kosovë më 24 shtator, kur një grup i armatosur rëndë sulmoi policinë në veri duke lënë të vdekur një dëshmor si Afrim Bunjaku. Pas një operacioni që zgjati disa orë, 4 prej terroristeve u eliminuan nga forcat speciale, ndërsa të tjerët braktisën vendin duke u larguar drejt Serbisë, prej andej nga duket se është përgatitur sulmi. Akoma më tronditës ështe fakti që presidenti Aleksandër Vuçiç shpalli dite zie kombëtare për 4 terroristë të vrarë. Këtë nuk e kishim parë dhe dëgjuar më herët. Vuçi tha se dita e zisë ishte shpallur edhe për policin kosovar. Me pak fjalë ‘ata të vrasin natën dhe të qajnë ditën.
Për këto e më shumë ngjarje të tjera na ndiqni çdo të shtunë, në “Një ngjarje dy të vërteta“, në orën 18:00! Vetëm në Top Albania Radio!