A ka jetë përtej Tokës? A ekzistojnë alienët? Shërbimet e inteligjencës në mbarë botën përpiqen t’u përgjigjen këtyre të panjohurave. Të shumtë janë ata që pretendojnë se kanë përjetuar një fenomen paranormal me objekte fluturuese. Për këtë arsye, tërheq vëmendjen dëshmia e fundit e David Grusch, një ish-oficer i Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, i cili siguron se autoritetet e vendit kanë pjesë “të paprekura dhe pjesërisht të paprekura” të anijeve kozmike, origjina e të cilave nuk është njerëzore.
Siç publikon “The Debrief”, ai i dha Kongresit dhe inspektorit të përgjithshëm të Komunitetit të Inteligjencës këtë informacion të klasifikuar. Sipas Grusch, ky informacion po mbahet në mënyrë të paligjshme në Kongres. Të dhënat, siguron ai, “tregojnë se nuk jemi vetëm”. Gjatë këtyre viteve, shpjegon ai, janë gjetur fragmente mjetesh “me origjinë jonjerëzore, jashtëtokësore apo me origjinë tjetër”.
Rrëfimi i Grusch rikonfirmohet nga disa nga kolegët e tij të inteligjencës, si Jonathan Grey, i cili konfirmon ekzistencën e “materialeve jonjerëzore”. Sipas të dyjave, ka programe “të fshehta” që kërkojnë zbulimin dhe rikuperimin e mjeteve të transportit me origjinë jonjerëzore. “The Debrief” kontaktoi me ekspertë të tjerë të inteligjencës dhe kolegë të Grusch gjatë viteve të fundit.
Gati dy vjet më parë, Pentagoni publikoi një raport që listonte deri në 144 shikime të objekteve fluturuese që nuk mund të identifikoheshin. NASA zhvilloi së fundmi takimin e parë publik mbi UFO-t, një vit pasi nisi një studim mbi objektet fluturake të paidentifikuara. Agjencia lejoi transmetimin televiziv të një seance dëgjimore prej disa orësh që përfshinte një panel me ekspertë të pavarur. Ekipi përfshiu 16 shkencëtarë dhe ekspertë të tjerë, mes tyre dhe austronauti që ka dalë në pension, Scott Kelly, amerikani i parë që qëndroi thuajse një vit në hapësirë.