E ftuar në “Live from Tirana” ishte gazetarja Zhaklina Gjolla për të folur rreth destinacionit të saj të fundit të pushimeve, Indonezia. E mirënjohur për natyrën dhe ishujt e saj, shumë shqiptarë nuk do ta preferonin si destinacion pushimesh prej distancës së largët, një opinion që ndoshta duhet rikonsideruar.
Çfarë duhet të dimë dhe kemi parasysh për të?
Kur u organizuam për në Bali, kisha dëgjuar 1000 të zeza. Më thanë që do të të vjedhin, do të të hanë majmunët, por nuk ndodhi asgjë nga këto. Do t’ia rekomandoja çdokujt që mos të shkonte vetëm për Indonezinë, por të bënte një udhëtim nëpër ishujt e saj. Indonezia ka shumë ishuj, shumë vende të bukura për të parë, por është një humbje e madhe nëse viziton vetëm një nga ato, Balin në rastin tonë. E vetmja gjë e shtrenjtë për të shkuar në Indonezi është udhëtimi, çmimet për sa i përket ushqimeve dhe akomodimit janë shumë të lira. Mund ta menaxhosh shumë mirë buxhetin kur je brenda saj dhe ke mundësi të kalosh në vende të tjera, si Vietnami ose Tajlanda.
Cila ishte gjëja më interesante që pe në Indonezi?
Majmunët ishin më shumë të përqendruar në Monkey Village, siç quhej vendi. Kishte shumë rëndësi se si sillesh me ta. Një mikesha ime ishte shumë miqësore dhe ata iu afruan nga të gjitha anët, duke u kapur tek këmbët dhe qafa e saj. Na kishin paralajmëruar që të mos merrnim sende që shkëlqenin sepse ata i pëlqenin ato. Në fillim, një nga majmunët u përpoq të vidhte varësen e floririt, por nuk ia arriti dot. Një nga këto sende ishte dhe vathi i shoqes sime që një majmun e mori, por fatmirësisht disa nga djemtë që ishin me ne arritën që ta merrnin mbrapsht.
Po për sa i përket kuzhinës?
Varet se ku dhe si zgjedh të ushqehesh. Ishte shumë fantastike. Poshtë hotelit ku po qëndronim ishte një restorant që gatuante ushqime italiane fantastike, menuja ishte shumë interesante. Ushqimi tradicional i tyre ishin ‘Noodles’, diçka që bëhet shpejt, është shumë e lirë dhe e shijshme kur kombinohet me erëzat vendase. Për të tjerat, peshkun e gatuanin shumë mirë, oktapodët e marinuar me erëza vendase ishin gjithashtu shumë të shijshëm. Ke një larmishmëri ushqimesh që të lënë të vendosësh nëse do të ushqehesh me diçka tipike apo ndonjë gjë më shumë vendase.
Çfarë mund të thuash për vendasit?
Nëse do të bëja një reportazh për Balin, do ta nisja me taksistin e parë që morëm. Kur hypëm me të dhe u nisëm, gjëja që të bënte më shumë përshtypje ishte fakti se megjithëse trafiku ishte i tmerrshëm, më keq se ai i Tiranës, askush nuk i binte borisë. Motorri ishte një mënyrë shumë e mirë për të lëvizur në Bali dhe shihja që ndonjëherë preknin xhamat kur kalonin në mes të makinave, por askush nuk bënte asgjë. Taksisti na tha se kjo është diçka normale për ta dhe se nëse do të grindeshin me njëri-tjetrin për kështu gjërash, do të ishin vrarë deri tani. Një rol në këtë luan dhe besimi që ata kanë. Ishin 2 kryesorë, Hinduizmi dhe Myslimanizmi. Për anën Hinduiste, vëreje diçka shumë interesante. Jetonin në shtëpi shumë të thjeshta dhe modeste, të cilat kishin një tempull brenda tyre. Tempulli simbolizonte vlerësimin ndaj Zotit dhe duhet të ishte në lindje ose përpara shtëpisë, i gjatë sa vetë ajo ose më shumë. Po të shikoje shtëpitë në vetvete, ngjanin si kasolle kur i krahasonin me tempullin, të cilët ishin luksozë dhe të gdhendur me dorë. Megjithatë do të thoja se besimin e tyre e shihje më shumë në njerëz sesa në arkitekturë, e ndieje në një mënyrë spirituale. Ata jetonin me parimin ‘ha, lutu dhe dashuro’ dhe duket shumë qartë në mënyrën se si silleshin, plot me dashuri dhe tolerancë.