Rajoni

Një muaj paraburgim për pesë serbë të dyshuar për krime lufte në Kosovë!

Me një vendim të orëve të fundit, Gjykata Themelore e Prishtinës përcaktoi një muaj paraburgim për pesë personat e arrestuar si të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitet 1998-1999.

Pesë serbë të Kosovës me inicialet D.C., D.N., N.S., S.J. dhe M.Sh u arrestuan mëngjesin e djeshëm gjatë një aksioni të autoriteteve të sigurisë së Kosovës në qytetin juglindor të Gjilanit duke ngjallur reagime të ashpra nga Serbia.

Gjykata urdhëroi 30 ditë paraburgim për të pestë teksa argumentoi se nëse lihen të lirë “ata mund të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, pasi janë shtetas të Republikës së Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë”. Më tej, në njoftim theksohet:

Po ashtu, ata mund të bëjnë përpjekje që të zhdukin provat materiale, si dhe të ndikojnë në të dëmtuar ose në të pandehur të tjerë, të cilët gjenden në arrati.

Prokuroria i akuzon për krime lufte si vrasje, plagosje e keqtrajtim të civilëve shqiptarë në fshatrat Llovcë, Pogragjë e Uglar në prill të vitit 1999, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një reagim, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë iu bëri thirrje misioneve ndërkombëtare në Kosovë “t’i japin fund arrestimeve arbitrare, rezultati i vetëm i të cilave është shkatërrimi i karakterit multietnik” të Kosovës.

Ministria serbe pretendoi se ky është “një tjetër shembull i sulmeve ndaj serbëve, me qëllim frikësimin dhe dëbimin e tyre”. Më herët, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, deklaroi:

Të arrestuarit janë njerëz, të cilët kanë jetuar paqësisht për vite të tëra, pa probleme në pragjet e dyerve të tyre.

Katër nga të arrestuarit janë Dragan Cvetkoviç, Dragan Billiç, Millosh Shoshiç e Sllobodan Jevtiç. Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur 33 akuza e që përfshijnë 89 persona për krime lufte në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 vetë janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore e ndërkombëtare. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitet 1998-1999 u vranë më shumë se 13 mijë civilë e mijëra të tjerë u zhdukën. Mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur, pjesa më e madhe shqiptarë.