“Dancing with the Stars”, është programi më popullor i kërcimit që bën bashkë personazhet më të dashur, që si kurrë më parë i shihni duke kërcyer në një shumëllojshmëri disiplinash. Së bashku me balerinët profesionistë, javë pas jave, VIP-at sfidojnë veten, në kërkim të pikëve të jurisë dhe votave të publikut, duke synuar çmimin e madh.
Të premten e kaluar vetë moderatorja e spektaklit, Bora Zemani ka treguar se këtë javë do të jetë një e ftuar speciale, ku nata do t’i kushtohet asaj. Bëhet fjalë për këngëtaren e njohur dhe shumë të dashur për publikun Elvana Gjata.
Elvana do të këndojë disa nga hitet e saj më mira dhe më të dëgjuarat nga audienca. Jo vetëm kaq, por ajo do të ulet së bashku me jurinë duke gjykuar dhe dhënë pikët për performancat e konkurrentëve që kërcejnë nën ritmet e këngëve të saj.
Se me cilat këngë do të kërcejë secili çift mbrëmjen e sotme dhe nëse Elvana do të na dhurojë dhe ndonjë kërcim në “Dancing With The Stars”, na mbetet të presim dhe pak për të zbuluar gjithçka. Bëhuni gati!
Së fundmi në rrjet kanë qarkulluar lajme se artistet Elvana Gjata dhe Dhurata Dora pas suksesit të tyre me hitin “Gajde” kanë bashkuar forcat për një tjetër bashkëpunim. Por këtë herë me një impakt më të madh, duke synuar të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion 2023.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja në Instagram “Eurovision Kosovo”, të cilët shkruajnë se jo zyrtarisht mësohet se Elvana dhe Dhurata janë pranuar të jenë pjesë e FEST61, ndërsa RTSH-ja ka vendosur që për herë të parë kënga fituese e Festivalit të Këngës të zgjidhet edhe përmes televotimit. Në lidhje me këtë lajm ka vendosur që të reagojë vetë këngëtarja e talentuar, Elvana Gjata. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Instagram në InstaStory ajo i ka mohuar të gjithë këto zëra.