Shpikësi hungarez i Kubit të Rubikut festoi së fundmi 50 vjetorin e krijimit të enigmës së tij hapësinore që u bë një mani globale, duke shitur gjysmë miliardë kuba të tillë. Erno Rubik tha se ndjente se kubi do të ishte po aq i rëndësishëm në shekullin e 21-të, sa ishte kur e projektoi për herë të parë në Hungarinë e kohës së Luftës së Ftohtë në 1974. Ai përdori kubin e tij si një mjet mësimor për matematikën.
“Duart tona pjesërisht na bëjnë njerëz. Sepse ne ishim në gjendje të krijonim mjete dhe mësuam se si t’i përdorim mjetet tona. Dhe në këtë kuptim kubi është një mjet për të menduar. Përdorimi i kapacitetit të mendjes sonë për të menduar, zgjidhjen e problemeve, të kuptuarit e situatave, të kuptuarit e hapësirës, lëvizjen në hapësirë e kështu me radhë. Ndërkohë, ne po përdorim duart tona ka një lidhje shumë të fortë midis mendjes dhe gishtërinjve.”-tha ai.
Rubik e patentoi atë dhe hyri në tregun global në fund të dekadës, duke u bërë një mani në mbarë botën në vitet 1980. Më shumë se 500 milionë njësi janë prodhuar që atëherë. “Kubi ka të njëjtën fuqi dhe kubi është në gjendje të arrijë në të njëjtin nivel si 50 viteve më parë. Dhe çfarë mund të them tjetër? Shpresoj se kjo do të vazhdojë për 50 vitet e ardhshme.”
Rekordi aktual botëror për zgjidhjen e një kubi të përzier rastësisht është pak më shumë se tre sekonda, i mbajtur nga Max Park. Ka pak më shumë se 43 kuintilion kombinime dhe orientime të mundshme për 26 komponentët e ndryshëm. Kubi më i vogël i rubikut në botë mund të ketë gjithashtu çmimin më të lartë në botë. Kubi i prodhuesit japonez të lodrave, MegaHouse, është aq i vogël sa mund t’ju duhen piskatore për ta zgjidhur atë. Me çmimin prej 5,320 dollarëve, kubi u vu në dispozicion për porositje në faqen e internetit të prodhuesit dhe pritet të dorëzohet prillin e ardhshëm. Çdo porosi vjen me një shkrim që e shpall atë “kubin më të vogël të rubikut në botë”. Guinness konfirmoi zyrtarisht enigmën nga MegaHouse si “kubi më i vogël” në botë në gusht.