Publikimi i filmit “Mission: Impossible 7” është shtyrë sërish për shkak të situatës së vazhdueshme me pandeminë. Në shtator të vitit të kaluar, filmi me protagonist Tom Cruise, u shty për katër muaj pasi pritej të lancohej më 30 shtator 2022. Studiot filmike “Paramount Pictures” dhe “Skydance” kanë lajmëruar se filmi i shumëpritur nga fansat, do të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 14 korriku i vitit 2023, kjo pasi COVID-19 vazhdon të ketë ndikim në industrinë e filmit dhe po i vonon xhirimet e këtij projekti që kanë zënë vend kryesisht në Britani të Madhe.
Në deklaratën e përbashkët për media të lëshuar nga studiot filmike prapa këtij projekti thuhej se:
Pas shqyrtimit të kujdesshëm, ‘Paramount Pictures’ dhe ‘Skydance’ kanë vendosur t’i shtyjnë datat e publikimit për filmat ‘Mission: Impossible 7 & 8’ si pasojë e vonesave të shkaktuara nga pandemia. Mezi presim t’iu ofrojmë shikuesve të filmave një përvojë të pashembullt nëpër kinema. Datat e reja të publikimit do të jenë përkatësisht 14 korrik 2023 dhe 28 qershor 2024.
Filmat e mbushur me skena aksion ku rolin e agjentit Ethan Hunt, e portretizon aktori i famshëm, Tom Cruise, konsiderohen ndër më të suksesshmit në Hollywood. Rikujtojmë se Tom Cruise ka rrezikuar jetën në xhirimet e filmit të tij “Mission Impossible 8”.
Aktori u fotografua teksa ishte i varur me kokë poshtë nga krahu i një aeroplani të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa xhironte skenat e filmit të ri. Tom u pa duke xhiruar skenën që sfidonte vdekjen në aeroportin Duxford në Kembrixh së fundmi, me aeroplanin ‘Boeing B75N1’ Stearman të vitit 1941.
Para pak ditësh aktori i njohur dhe i dashur për të gjithë publikun u vendos në qendër të vëmendjes për shkak të pamjes së tij krejtësisht ndryshe. Ai u shfaq pothuajse i panjohur për disa fansa, pasi ishte duke ndjekur lojën e dytë të Serisë së Divizionit të Ligës Kombëtare në San Francisko.