Bota

“Një lëmsh zjarri spektakolar”, publikohet momenti kur një asteroid ndriçon qiellin në Filipine!

Janë bërë publike pamjet kur vetëm një ditë më parë një asteroid i vogël ndriçoi qiellin e Filipineve. Një lëmsh zjarri përçau mantelin e natës në Filipinet  e veriut gjatë së enjtes kur asteroidi i vogël u dogj teksa depërtonte në atmosferë.

Asteroidi me përmasa rreth 1 metër ishte i padëmshëm, por krijoi një “lëmsh zjarri spektakolar”, tha Agjencia Hapësinore Europiane. Asteroidë të këtyre përmasave godasin Tokën rreth çdo dy javë, por kjo është vetëm hera e nëntë që zbulohet përpara se të prekte atmosferën.

Objekti qiellor u pikas të mërkurën nga Catalina Sky Survey që drejtohet nga Universiteti i Arizonës dhe financohet nga NASA. Kjo e fundit tha se asteroidi i vogël e i padëmshëm pritej të dukej si një top i zjarrtë në bregun lindor të Filipineve të veriut. Shkencëtarët e quajtën 2024 RW1.