Avatar, filmi i suksesshëm i vitit 2009 që është më fitimprurësi në historinë e kinematografisë, do të pasohet edhe nga 4 filma të tjerë. Lajmin e bëri të ditur vetë regjisori James Cameron.
61-vjeçari tha se pasi u takua me artistët dhe dizenjuesit më të mirë në botë, vendosi që të bënte edhe 4 filma.
“Kemi vendosur që t’i futemi një projekti masiv kinematografik, duke bërë 4 filma epikë. Secili nga filmat do të jetë i veçantë, ndërsa të gjithë bashkë do të kompletojnë sagën”, tha Cameron.
Filmi i parë Avatar është i vendosur në vitin 2154, kur njerëzit kërkojnë një mineral të veçantë në një planet tjetër, që është i banuar nga një racë alienësh të gjatë dhe me lëkurë blu që quhen Na’vi. Jake Sully, një ish-marins paraplegjik (i interpretuar nga Sam Worthington) merr kontrollin e një trupi hibrid njeri-Na’vi i quajtur Avatar për të bindur alienët, por përfundon duke marrë anën e tyre.
Filmi arriti të grumbullonte 2.8 miliardë dollarë në të gjithë botën. Filmi i dytë do të shfaqet në vitin 2018, ndërsa të tjerët për Krishtlindjet e vitit 2020, 2022 dhe 2023.