Aktualitet Politikë

Një kuti me dokumente dhe valixhe, Ilir Beqaj del nga SPAK me dosjen e ‘Sterilizimit’!

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka dalë nga zyrat e SPAK-ut në Tiranë i ngarkuar me një kuti të madhe në duar dhe një valixhe me dokumente.

Ai u paraqit këtë të premte në gjykatë për të marrë aktet hetimore të dosjes së “Sterilizimit”, për të cilën akuzohet për shpërdorim detyre.

Vetë Beqaj tha për mediat se dosja është shumë e madhe. “Dokumentet…përderisa dosja është e madhe…”, – u shpreh ai për gazetarët.

Fillimisht Beqaj refuzoi që të paguante shumën prej rreth 10 milionë lekë për të marrë këtë dosje. Më pas gjykata ia vuri në dispozicion atij.

Muajin e shkuar, ai arriti të njihej me dosjen në mënyrë elektronike. Nëpërmjet një USB-je, mori të gjithë fashikujt e dosjes pas vendimit të GJKKO-së.

Ish-ministri akuzohet për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”, sa i takon koncesionit për asetet kirurgjikale.

Sipas SPAK, procedura e  hapur me negocim, është në shkelje të ligjit. Kjo pasi, asokohe legjislacioni parashikonte procedurë të hapur dhe jo me negocim, në mënyrë që të kishin mundësi edhe kompani të tjera të merrnin pjesë. Sipas organit të akuzës shkeljen e ligjit për mënyrën si janë bërë procedurat, në cilësinë e ministrit Ilir Beqaj duhet që t’i kishte konstatuar.

Po ashtu si ministër i Shëndetësisë Beqaj duhet të kishte konstatuar konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij Klodian Rrepaj.

SPAK ka dyshime se kompania që fitoi koncesionin është favorizuar nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe kjo gjë është lejuar edhe nga ish-ministri Beqaj.

Të pandehur për të njëjtën çështje janë dhe 8 persona të tjerë. Mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët janë në pranga prej gushtit të vitit të shkuar.