Bota Botë e Çuditshme

Një kopsht zoologjik në Finlandë po i kthen pandat gjigante në Kinë!

Një kopsht zoologjik në Finlandë ka rënë dakord me autoritetet kineze për t’i kthyer dy panda gjigante të huazuara nga Kina, më tepër se tetë vjet para afatit, sepse është bërë shumë e shtrenjtë mirëmbajtja e objektit pas rënies së vizitorëve. Kopshti zoologjik privat “Ahtari” në Finlandën, që gjendet rreth 330 kilometra në veri të Helsinkit, ka njoftuar se pandat “Lumi” dhe “Pyry” do të kthehen para kohe në Kinë.

Pandat ishin dhuruar nga Kina për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Finlandës më 2017 dhe supozohej që të qëndronin deri në vitin 2033. Kopshti zoologjik kishte përjetuar një sërë sfidash, që ndikuan në rënien e vizitorëve, duke nisur nga pandemia COVID-19 e deri te konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës dhe rritjes së inflacionit.

Ndërkaq, numri i pandave në natyrë në Kinë është rritur në afro 1900, ndërsa numri i pandave që jetojnë në robëri në mbarë botën ka shkuar në 728 gjatë vitit 2023. Kjo është bërë e ditur nga Administrata Kombëtare e Pyjeve të Kinës. Përveç popullatës së egër, është përmirësuar edhe diversiteti gjenetik i pandave gjigante të robëruara, kështu që popullsia aktuale e robëruar e pandave gjigante mund të ruajë diversitetin gjenetik 90% deri në 200 vjet. Kjo do të thotë se ata janë një popullsi e shëndetshme, dinamike dhe e qëndrueshme. Kina ka krijuar programe të ruajtjes së pandave gjigante me 18 institucione nga 17 vende, dhe 50 panda gjigante jetojnë jashtë vendit.