Sot i ftuar në Top Albania Radio ka qenë artisti i njohur, Dren Abazi. Një emër mjaft i dashur i muzikës së mirë shqiptare. Ai tregoi më shumë detaje në lidhje me koncertin e tij që do të realizojë në qytetin e Shkodrës dhe jo vetëm kaq.
Data 7 maj, një datë shumë e rëndësishme për Dren Abazin dhe për karrierën e tij muzikore. Një koncert ndër më të veçantët sepse do të ketë një pjesëmarrje prej më shumë se 90 muzikantësh, instrumentistësh. Pse vendosi që këtë koncert artisti ta bëjë në Shkodër?
Është e vertëtë që për mua është një moment shumë i rëndësishëm në karrierën time sepse është një koncert shumë ambicioz mbi të gjitha. Nuk është e lehtë të bësh një koncert të tillë me orkestër simfonike dhe kor, besoj që janë të rrallë muzikatët apo këngëtarët në botë që e bëjnë këtë për arsye të ndryshme. Jam shumë krenar dhe shumë falenderues për rastin. Për mua është koncerti i parë simfonik. Shkodra jo për ndonjë arsye të veçantë, thjesht Shkodra ka rikthyer orkestrën simfonike pas 35 ose 36 vitesh. Tani është rikthyer dhe është mjaft e rëndësishme sepse është djepi i kulturës dhe i artit. Koncerti do të mbahet në sheshi përpara bashkisë, një shesh shumë i bukur dhe vërtetë i mirë dhe i përshtatshëm. Ideja ishte që ta bënim në kala por hasëm disa probleme.
Çfarë pritet të ndodhë dhe a është entuziast Dren Abazi?
Unë jam shumë entuziast për këtë pjesë dhe nesër do të udhëtoj për në Shkodër, kam ardhur vetëm për këtë intervistë.
Në karrierën e tij kaq të gjatë, Dren Abazi është një artist që nuk e ka humbur kurrë fokusin nga muzika e mirë dhe cilësore.
Unë besoj se procesi i krijimit të një kënge është një punë sistematike kur ti e bind veten që duhet të shkruash diçka, unë i shkruaj vetë këngët. Unë besoj që gjithmonë këngët melankolike janë ato më të fuqishme dhe ato me kohëzgjatje më të madhe për vetë faktin se melankolia si emocion ose dhimbja është shumë më e fortë se sa gëzimi.