Kozeta Kurti, një nga “pioneret” e para të radiove private në Shqipëri, që në fund të viteve ‘90-të, kthehet në Top Albania Radio pas 17 vjetësh me “Back to the Beginning”. Ky format e nisi rrugëtimin edhe në 2020-ën, fiks në të njëjtën periudhë me pandeminë globale “Covid 19”-të, por me sa duket kjo është koha e duhur. Jo vetëm Kozeta, por edhe të ftuarit e saj do ta kthejnë kohën pas, si çantë shpine, në fillimet e tyre, midis qindra kujtimesh. “Për të kuptuar ku po shkon, kujto nga erdhe”.
I ftuar në emision “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin në këtë episod ka qenë Agron Domi. Ai është një ndër themeluesit dhe drejtori i TIFF, Tirana International Film Festival. Me vetëm pesë ditë larg fillimit të edicionit të tij të 22-të, që do të mbahet më 22 Shtator, Domi në këtë intervistë ekskluzive ka folur, siç e përshkruan edhe Kozeta, më shkurt për të tashmen dhe më gjatë për retro.
Në një histori tranzicioni 30 e ca vite në Shqipëri, ne kemi një festival filmi, i cili feston 22-vjetorin e tij. Një festival i vjetër për historinë tonë të shkurtër pas viteve ’90. Si ndihet Agron Domi për këtë arritje?
Në një vend si ky i yni, ku gjërat janë të vështira për t’u mbajtur gjatë, është një arritje e TIFF-it në këtë rast, por edhe atyre që kanë arritur t’i rezistojnë vështirësive pa fund që përballen nga viti në vit.
Në fillimin e tij, muzikat e tij të para e kanë lidhur atë edhe me radion, si një mjet komunikimi publik.
Në atë kohë radio ishte si mjet komunikimi publik. Në një periudhë, në ’62 dhe në vitet që pasonin, pati një lloj liberalizmi le të themi jeta europiane dhe për pasojë edhe në ’68 që arriti në kulm. U reflektua edhe në Tiranë kjo gjë, por televizioni mbaronte shumë shpejt. Unë fëmijë vetëm doja ta zgjasja sa më shumë kohën drejt gjumit dhe flija në dhomë vetëm, jo me prindërit. Edhe si 5-6 vjeç, nuk dija si ta shtyja, dhe zbulova ku babi mbante radion ke dhoma e vet e gjumit dhe programi i fundit që mbaronte në Radio Tirana në 23:30 ishte me muzikë simfonike. Kështu që për të justifikuar qëndrimin e gjysmë ore nga jeta zgjuar, i thoja atyre që dua të dëgjoj muzikë simfonike. Avantazhi që mora prej saj ishte që të mësohem me këtë muzikë dashje, padashje dhe kjo ka qenë kontakti i parë, më shumë simfonik.
Si ka qenë për të jetesa në vitet ’60 – ’70?
Kanë qenë vitet më të arta në botë në çdo fushë. Një sens lirie ishte dhe kjo u reflektua në kinema. Kaluan vite pas luftës dhe entuziazmi i post-luftës vazhdonte dhe ky brez, i cili lindi më kohën e luftës, tani ishte në kulmin e pjekurisë artistike dhe arriti në kulmet që ti përmënde disa prej tyre. Pastaj kapërcimi pas viteve ’70, hyri për herë të parë muzika elektronike, RAI shihej në mënyrë të rregullt.