Një person humbi jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e turbulencave të forta në një avion të Singapore Airlines, që fluturonte nga Londra në Singapor.
Boeing 777-300ER u devijua në Bangkok, ku u ul në orën 15:45 me orën lokale këtë të martë. Autoritetet po u japin ndihmën e nevojshme të lënduarve.
Turbulenca po bëhen gjithnjë e më të shpeshta gjatë fluturimeve ajrore. Me turbulenca të lehta dhe të moderuara, pasagjerët mund të ndiejnë një tendosje në rripin e sigurimit dhe sendet mund të lëvizin nëpër kabinë.
Por në raste të rënda, turbulencat mund t’i hedhin pasagjerët rreth kabinës, duke shkaktuar lëndime të rënda dhe herë pas here vdekje.
Në mars 2023, turbulenca në një avion privat rezultoi në vdekjen e një ish-zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, vetëm disa ditë pasi shtatë persona u transportuan në spital, pasi një fluturim tregtar u godit nga turbulenca të konsiderueshme.
Në korrik 2023, shtatë persona u plagosën në një fluturim të Hawaiian Airlines për në Sydney kur avioni u godit nga turbulenca të forta, ndërsa 36 persona u plagosën në një fluturim të Haëaiian Airlines nga Arizona në Honolulu në dhjetor 2022.
Një studim i shtatorit 2022 parashikon se turbulencat në ajër të pastër do të rriten ndjeshëm në të gjithë globin deri në periudhën 2050-2080, veçanërisht përgjatë rrugëve më të ngarkuara të fluturimit.