Bota Botë e Çuditshme

Një gjykatë në Kolumbi urdhëron “zhdukjen” e hipopotamëve të Escobar-it!

Një gjykatë në Kolumbi ka urdhëruar gjuetinë e hipopotamëve që u sollën në vend në vitin 1980 nga “lordi i drogës”, Pablo Escobar. Gjykata Administrative e Cundinamarca-s, i caktoi një afat prej tre muajsh Ministrisë së Mjedisit për të nxjerrë një rregullore që parashikon masa për çrrënjosjen e specieve, të cilat po ndikojnë në ekuilibrin ekologjik të zonës. Në vendlindjen e tyre, në Afrikë, hipopotamët janë përgjegjës për më shumë vdekje njerëzore se pothuajse çdo kafshë tjetër, por në Kolumbi, ata janë bërë anëtarë të dashur të komunitetit lokal dhe një atraksion turistik.

Problematikë ata janë bërë për komunitetin lokal pranë fermës së vjetër të Escobar-it në shtetin Antioquia, për të cilën ekspertët shqetësohen se së shpejti mund të bëhet vdekjeprurëse. Pas vdekjes së Escobar, hipopotamët nga kopshti zoologjik i tij privat dolën në natyrë, në një zonë me bimësi të bollshme dhe ku nuk ka grabitqarë. Tani janë rreth 166 nga bishat prej dy tonësh që enden lirshëm.

Sulmet ndaj peshkatarëve janë raportuar në lumin Magdalena dhe ekspertët argumentojnë se popullatat e manateve mund të kërcënohen, megjithëse aktivistët e të drejtave të kafshëve dhe punonjësit e turizmit kundërshtojnë gjuetinë e hipopotamit. Gjykata saktësoi se masat për eliminimin e hipopotamëve duhet të përfshijnë gjuetinë e kontrolluar dhe sterilizimin.

Ministria e Mjedisit kishte njoftuar tashmë planet e vitit të kaluar për të sterilizuar një pjesë të popullatës së tyre, ndërsa të eutanizonte të tjerët, si pjesë e një përpjekjeje për të frenuar numrin në rritje të hipopotamëve. Sterilizimet kanë ecur ngadalë, ndërsa asnjë rast eutanazie nuk është kryer. Planet për t’i zhvendosur hipopotamet në Meksikë, Indi ose Filipine gjithashtu kanë dështuar.

Ndërkaq, prej shekujsh ka pasur debate për faktin se pse hipopotamët lëshojnë të ashtuquajturat “djersë të përgjakshme”. Shkencëtarët kanë zbuluar së fundmi se çfarë fshihet pas këtij fenomeni. Shkrimtari dhe shkencëtari romak, Plini Plaku, ishte një nga të parët që regjistroi fenomenin e pazakontë në veprën e tij “Naturalis historia”. Mirëpo, ai e shpjegoi këtë me faktin se teksa ishin shtrirë në kallamishte të mprehta në brigjet e lumenjve dhe kënetave, hipopotamët lënduan veten për të hequr qafe ënjtjen e shkaktuar nga gjaku i tepërt në trupin e tyre.