Shkrimtarja franceze, Annie Ernaux është fituesja e Çmimit Nobel për Letërsinë. 82 vjeçarja u vlerësua për “guximin, si dhe mprehtësinë, me të cilën zbulon rrënjët, largimet e kufizimet kolektive të kujtesës personale”. Kjo theksohet në motivacionin e bërë të ditur nga Komiteti Nobel. Emri i francezes u shpall nga Mats Malm, sekretar i Përhershëm i Akademisë Suedeze.
Një ditë më parë, Çmimi Nobel për Kiminë iu është ndarë dy amerikanëve, Carolyn Bertozzi e Barry Sharpless, si dhe danezit, Morten Meldal, për krijimin e një forme më funksionale të kimisë. Ata u vlerësuan për zbulimin e reaksioneve që u mundësojnë molekulave të krijojnë përbërjet e dëshiruara. Kjo mënyrë studimi besohet se ofron më shumë njohuri për qelizën.
Dy ditë më parë, pra më 4 tetor, Çmimi Nobel për Fizikën i shkoi tre shkencëtarëve: francezit Alain Aspect, amerikanit John Clauser dhe austriakut Anton Zeilinger, në lidhje me zbulimet e tyre në fushën e mekanikës kuantike.
Ndërkaq, më 3 tetor, shkencëtari suedez Svante Paabo, fitoi Çmimin Nobel për Mjekësinë, duke u vlerësuar për zbulimet e rëndësishme që kanë të bëjnë me evolucionin njerëzor.
Me interes pritet dita e nesërme kur mësohet se kujt do t’i shkojë Nobeli për Paqen. Ndërkohë, të hënën e 10 tetorit, akordohet Nobeli për Ekonominë. Çmimet kanë vlerën e 900.357 dollarëve amerikanë e do të shpërndahen në ceremoninë zyrtare të datës 10 dhjetor të këtij viti.