Së fundmi miliarderi i teknologjisë Elon Musk bëri shaka për familjen e tij të madhe në një intervistë me “Financial Times”, duke thënë se ai është shumë i sigurt që nuk do të ketë më fëmijë të tjerë. Megjithatë, 51-vjeçari sqaroi se nuk është kundër që të ketë edhe më shumë fëmijë në të ardhmen. Shefi i Teslas u bë baba në vitin 2002 kur erdhi në jetë djali i tij Nevada, por foshnja ndërroi jetë pas 10-javëve.
Dy vjet më vonë, ai dhe gruaja e atëhershme Justine Wilson mirëpritën binjakët Griffin dhe Vivian, tani 18 vjeç. Musk dhe Vivian ndërkaq nuk kanë raporte të mira, pasi adoleshentja ka ndryshuar edhe mbiemrin e saj, në mënyrë që të mos ketë lidhje me babanë e saj biologjik.
Musk është gjithashtu baba i trenjakëve 16-vjeçar Kai, Saxon dhe Damian, të lindur në vitin 2006. Më pas themeluesi i SpaceX mirëpriti djalin X AE A-XII, tani 2 vjeç dhe vajzën Exa, 10-muajshe, me të dashurën e tij Grimes në maj 2020 dhe dhjetor 2021.
Ndërkaq, së fundmi Musk është bërë baba edhe i binjakëve që Shivon Zilis, një nga drejtueset e larta të kompanive të tij, ka sjellë në jetë në fund të vitit të kaluar. Lajmin e ka bërë të ditur një raport i ri nga ‘Business Insider’. Sipas dokumenteve gjyqësore të marra nga mediat, CEO i Tesla dhe SpaceX dhe njeriu më i pasur në botë zgjeroi familjen e tij me ekzekutiven e kompanisë Neuralink në nëntor të vitit 2021.
Sipërmarrësi u shpreh për “Page Six” se:
Bravo për familjet e mëdha. Dua të kem aq sa kam mundësi të kaloj kohë dhe të jem një baba i mirë. Po bëjë çmos për të ndihmuar krizën e nënpopullimit. Një kolaps lindshmërie është rreziku më i madh me të cilin përballet qytetërimi.
Rikujtojmë, se Musk ka ndryshuar sërish mendjen rreth blerjes së Twitter-it, e tani deklaron se është i gatshëm të vazhdojë me procedurat për blerjen e kësaj platforme të medias sociale.