Auto & Moto

Një fabrikë e re e makinave elektrike nga Ferrari!

Së fundmi drejtori ekzekutiv i Ferrari, Benedetto Vigna, njoftoi se fabrika e re e gjeneratës së re të automjeteve të prodhuesit të makinave luksoze do të hapet në qershor 2024. “Fabrika në lokacionin në Maranello, veri të Italisë do të jetë gati në qershor 2024, dy vjet pas fillimit të ndërtimit”,-tha Vigna në një intervistë gjatë Forumit të Tregjeve të Kapitalit të Bloomberg në Itali.

E ashtuquajtura ndërtesa elektronike do të ketë linja montimi me fleksibilitet për të ndërtuar makina elektrike dhe jo elektrike, njoftoi ndër tjera Vigna. Ferrari planifikon të prezantojë modelin e parë elektrik në tre mujorin e fundit të vitit 2025.

Modelet vetëm me bateri dhe modelet hibride plug-in pritet të dominojnë portofolin e kompanisë në gjysmën e dytë të dekadës, ndërsa makinat hibride do të përbëjnë 35% të dërgesave gjatë tremujorit të parë. Lëvizja e Ferrarit drejt elektrifikimit ka përparuar më ngadalë se rivalët e tij dhe prodhuesi i supermakinave luksoze po ndërmerr hapa të kujdesshëm për të mbajtur një klientelë që blen motorë me djegie të brendshme.