E ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Jetona Koçibelli, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për të dhënë mendimin e saj për videot më të spikatura gjatë 24 orëve të fundit në shtëpinë e BBV.
Ajo ka zbuluar gjithashtu ekskluzivisht për Top Albania Radio se së shpejti pritet që të sjellë ekspozitën e saj. Jetona ndau edhe disa detaje në lidhje me organizimin e saj ku u shpreh se:
Bëhet fjalë për një ekspozitë të cilën e kuroj unë. “Backstage Show” quhet dhe do të hapet në datë 3 Maj që përkon edhe me Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. I përkushtohet pikërisht kësaj dite. Unë e vizualizova në mendjen time dhe e bëra çdo gjë që t’i përshtatet kësaj dite. Besoj se në këto 30 vite tranzicion ne kemi patur shumë ngjarje në median shqiptare të cilat e kanë vënë në pikëpyetje lirinë e saj. Nga ana tjetër kanë bërë të diskutohet që përse media duhet të vendoset përballë sulmeve të ndryshme.
Jetona rikujtoi gjithashtu:
Që nga djegia e Gazetës “Koha Jonë” në vitin 1997, sulmi që iu bë Radio Televizionit Shqiptar në vitin 1998, aty ku drejtori gjente edhe armë brenda zyrave dhe sirtareve. Deri tek Top Channel, plumbat ndaj institucionit mediatik më të madh në vend. Por edhe më herët sepse unë kam kërkuar. Gjyqi që i është bërë në kohën e Sali Berishës, kur ishte kryeministër Top Channel-it, është një tjetër element. Ka patur një protestë që themeluesi Dritan Hoxha po ashtu ka organizuar. Janë disa elementë që shënjojnë edhe lirinë e fjalës.
Kemi elementë të caktuar, gazetarë të caktuar dhe momente të cilat nëpërmjet artefakteve, fotografive, ngjarjeve vizuale, video dhe elementë të tyre personalë mund të shpalosen edhe të vijë një ekspozitë shumë interesante.
Ndër të tjera gazetarja zbuloi se ekspozita do të qëndrojë e hapur për një javë dhe do të jetë në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, krahë Piramidës.