Një emision ku si asnjëherë më parë mendimet dhe fjalët vijnë si në jetë, të pacensuruara…Mirë, ndoshta pak të censuruara. “Pardon my French” nga Jonida Alickolli, të cilës i bashkohet në moderim Arbër Çepani, ku e vetmja gjë që nuk dinë të bëjnë është të flasin frengjisht! Surpriza e këtij sezoni është Lei Kraja. Moderatorja i bashkohet dyshes sonë dhe një gjë është e sigurtë, të qeshurat dhe surprizat janë të garantuara.
“Pardon My French” nisi sot dhe mund ta ndiqni live çdo të mërkurë në orën 18:00, me të ftuar special dhe intervista ekskluzive. E ftuar në episodin e parë të sezonit, Zhaklin Lekatari u shpreh për gjithçka, nga eksperienca si opinioniste e “Big Brother Vip”, deri në projektet me të cilat po merret.
E kujtoj si periudhë interesante “BBV”. Kur sapo kishte mbaruar kisha nevojë të menaxhoja mendimet e mia. Tani që jemi pas kaq kohësh mendoj që ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, një aventurë që më ka ndryshuar shumë. Mendoj që më ka maturuar në një lloj sensi, mendimet do i them hapur prapë, por mendoj që unë si individ jam rritur shumë. Nuk do heq dorë nga të dhënit opinione. Mendoj që është një eksperiencë që të ndryshon, sigurisht ka vështirësitë e veta.
Por a do të hynte ajo si banore në “BBV4”?!
Jo, unë nuk do hyja brenda.