Aktualitet

Një ditë më parë u vunë në pranga shtatë “kolegët”! Shisnin doza droge në një festival në Vlorë, arrestohen rumunët!

Dy rumunë janë vënë në pranga pasi njëri prej tyre shiste doza droge në festivalin e zhvilluar në Delisuf, ndërsa tjetri mbante armë të ftohtë (përforcues grushti).

Në operacionin policor i koduar “Parts 29”, u sekuestruan dozat e lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë, tabletat me ekstazi dhe një përforcues grushti.

Në pranga është vënë dhe një 30-vjeçar, shtetas italian, pasi iu gjetën në automjet, lëndë narkotike kanabis dhe tableta ekstazie.

Një ditë më parë, u vunë në pranga 7 shtetas që vepronin si grup kriminal në këtë festival, për shitjen e dozave të drogave të ndryshme si kokainë, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis.

“Si rezultat, u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “Parts 29”, gjatë të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit rumunë N. S., 26 vjeç dhe I. C., 25 vjeç, dhe shtetasi italian E. A., 30 vjeç.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin N. S., shërbimet e Policisë gjetën doza të lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë. Gjithashtu, pasagjerit në këtë automjet, shtetasit I. C., gjatë kontrollit iu gjet një armë e ftohtë (përforcues grushti). Dozat e lëndëve narkotike dhe arma e ftohtë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.