Auto & Moto

Një ‘bishë’ e vërtetë hibride, ju njohim me Bugatti Tourbillon!

Bugatti ka zbuluar së fundmi një model të ri, Bugatti Tourbillon, një bishë e vërtetë e rrugës me motor hibrid dhe një çmim marramendës. Makina e re do të zëvendësojë modelin Chiron, me 1500 kuaj fuqi, që kushton 3,3 milionë dollarë. Tourbillon ka një motor hibrid, një vendim i marrë nga kompania pas shkëputjes nga Grupi Volkswagen dhe shkrirjes me Rimac, një kompani kroate që prodhon supermakinën elektrike Rimac Nevera.

Por Mate Rimac, CEO i kompanisë së re, të quajtur Bugatti Rimac, thotë që nuk i ka shkuar kurrë ndërmend të bëjë një Bugatti të gjithën me motor elektrik, por një hibrid, që mbetet fjala e fundit e teknologjisë.

Tourbillon do të ketë një motor gjigant benzina me 16 cilindra dhe dy motorë elektrikë, të cilët në total prodhojnë 1800 kuaj fuqi.

Me bateritë e karikuara në maksimum, makina do të jetë në gjendje të udhëtojë për mbi 50 kilometra para se kalojë në motorin me benzinë. Makina do të ndërtohet në fabrikën e Bugatti-t në Molsheim të Francës. Në total është planifikuar të ndërtohen 250 copë, me një çmim bazë prej 4 milionë dollarësh.