Amazon thuhet se po punon në një asistent me AI që mund të zhvillojë biseda, të planifikojë pushime dhe të rezervojë fluturime. Siç raportohet, gjiganti teknologjik po zhvillon chatbot-in e tij të parë të mundësuar nga Inteligjenca Artificiale. Por, kompania ende nuk ka komentuar për thashethemet. Bëhet e ditur se mjeti i quajtur Metis “ushqehet” nga një model me Al, Olympus, i cili thuhet të jetë version më i fuqishëm i modelit Titan. Në formën e tij më të thjeshtë, Metis kthen përgjigjet e bazuara në tekst dhe imazh, sipas dokumenteve të brendshme.
Ai synon të gjenerojë përgjigje më të përditësuara dhe të sakta për ngjarjet aktuale. Metis pritet gjithashtu të punojë si një asistent personal që mund të automatizojë dhe të kryejë detyra më të komplikuara. Mund të përdoret për të bërë një itinerar pushimesh, për të rezervuar një fluturim dhe madje për të ndezur dritat në shtëpinë tuaj.
Amazon deklaroi së fundmi se do të investojë më shumë se 1.2 miliard euro në operacionet e saj franceze dhe do të krijojë më shumë se 3,000 vende pune të përhershme në këtë vend. Presidenca franceze tha së fundmi se Amazon dhe kompani të tjera, duke përfshirë GSK (GSK.L) dhe Accenture (ACN.N), do të shpallte investime me vlerë miliarda euro si pjesë e aktivitetit vjetor “Zgjidhni Francën”.
Amazon ka investuar më shumë se 20 miliardë euro në operacionet e saj franceze që nga viti 2010 dhe punëson më shumë se 22,000 punonjës të përhershëm në cloud dhe bizneset e saj të shitjes me pakicë në internet. Një pjesë e investimit do të përdoret gjithashtu për të zgjeruar rrjetin e saj logjistik për të rritur shpejtësinë e shpërndarjes dhe për të zvogëluar emetimet e karbonit. Ajo ka më shumë se 35 objekte logjistike në Francë.
Rikujtojmë, se Autoriteti antitrust i Italisë ka gjobitur dy degë të Amazon (AMZN.O) prej 10 milionë eurosh për praktika të padrejta tregtare, një vendim që gjigandi i tregtisë elektronike amerikane tha se do ta apelonte. Rregullatori italian tha se Amazon kufizoi ndjeshëm lirinë e zgjedhjes së konsumatorëve.