Bota Botë e Çuditshme

Një 88-vjeçar shpallet i pafajshëm pasi kaloi 46 vjet në burg!

Iwao Hakamada, një japonez 88-vjeçar, i cili kaloi 46 vjet në burg, u lirua nga një gjykatë në Shizuoka pas një rishikimi të çështjes së tij. Joao Hakamada, i burgosuri që ka kaluar më shumë vite në dënim me vdekje në botë, u akuzua për vrasjen e shefit të tij dhe tre anëtarëve të familjes së këtij të fundit në vitin 1966. Dy vjet më vonë ai u dënua me vdekje. Gjyqtari deklaroi se gjykata mendon se i akuzuari është i pafajshëm. Rasti, i cili filloi në vitin 1966, është simbol i abolicionistëve të Japonisë, të cilët janë më të shumtë në vend, sipas sondazheve.

Qindra njerëz u rreshtuan jashtë Gjykatës së Qarkut Shizuoka në përpjekje për të marrë një vend për vendimin e shumëpritur. Mes tyre, Atsushi Zukeran, i cili kishte veshur një bluzë ku shkruhej “Free Hakamada tani”. “Jam absolutisht i sigurt se ai do të shpallet i pafajshëm. Por një pjesë e imja nuk do të mund ta festojë plotësisht lirimin. Rasti i tij është një kujtesë e dhimbshme se sistemi i drejtësisë penale të Japonisë duhet të ndryshojë,”-tha ai.

Një ish-boksier i kthyer në punonjës në një fabrikë miso, Iwao Hakamada u akuzua për vrasjen e shefit të tij dhe tre anëtarëve të familjes së këtij të fundit në vitin 1966. Në vitin 1968 ai u dënua me vdekje nga Gjykata Shizuoka. Në atë kohë, ai fillimisht rrëfeu për vrasjet, përpara se të hiqte dorë, duke përmendur metodat brutale të hetuesve të tij. Megjithatë, dënimi i tij me vdekje u la në fuqi në vitin 1980 nga Gjykata e Lartë japoneze.

Avokatët e tij argumentuan se provat e fajit të tij ndoshta ishin fabrikuar nga policia ose nga ata që hetonin rastin në atë kohë, në mënyrë që ata të justifikonin arrestimin dhe dënimin e tij. Në vitin 2014, një gjykatë kishte pranuar ekzistencën e dyshimeve për fajësinë e tij pasi testet gjenetike kishin hedhur poshtë provat e akuzës mbi të cilën bazohej aktakuza. ADN-ja e gjetur në rrobat e përgjakura nuk përputhej me të tijën. Më pas u lirua nga burgu.

Pas një apeli nga prokuroria, një gjykatë e Tokios në vitin 2018 vuri në dyshim besueshmërinë e testeve të ADN-së dhe anuloi vendimin e vitit 2014, por nuk e ktheu Hakadën në burg. Në vitin 2020, një tjetër kthesë. Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin që pengoi Hakamada të gjykohej përsëri. Në maj, në rigjykimin e tij, prokurorët kërkuan përsëri dënimin me vdekje, duke argumentuar se ai ishte fajtor përtej një dyshimi të arsyeshëm.

Avokatët e tij dhe mbështetësit e tij të shumtë, të udhëhequr nga motra e tij 91-vjeçare Hideko, kërkuan lirimin e tij. Sipas gazetës japoneze Maniichi, ishte hera e pestë që prokurorët në Japoni kanë kërkuar sërish vendosjen e dënimit me vdekje në rigjykimet e ish-të dënuarve me vdekje. Sipas të afërmve të tij, Hakamada po vuan efekte psikologjike.