Sport

Nisma e tifozëve të Luftëtarit, stadiumi i Gjirokastrës të quhet “Sefedin Braho”

Të shumtë kanë qenë dhe janë stadiumet në Shqipëri që mbajnë emra të cilët mund të mos kenë pasur asnjë lidhje me sportin dhe veçanërisht futbollin. Së fundmi, pasi ndërroi jetë legjenda e futbollit shqiptar, Sefedin Braho, në qytetin e Gjirokastrës janë shtuar zërat që stadiumi ku luan Luftëtari, të mbajë pikërisht emrin e ish-sulmuesit magjik.

Braho është një nga emra më të ndritur të futbollit gjirokastrit, i cili ka kontribuar për Kombëtaren dhe gjithashtu Partizanin në vitet ’70-’80. Që prej rindërtimit në vitin 1972, stadiumi i Gjirokastrës ka mbajtur këto emra: “Subi Bakiri”, “Luftëtari” dhe aktualisht “Gjirokastra”.

Pasi vdekjes në moshën 71-vjeçare të Brahos, tifozët bluzi dhe jo vetëm, kanë pushtuar me komente në rrjetet sociale bashkinë e Gjirokastrës, në mënyrë që Këshilli Bashkiak i saj, të marrë një vendim që e nderon, duke i vendosur stadiumit emrin e Sefedin Brahos. Kjo do të ishte një lëvizje që kujton jo vetëm kontributin e madh të Brahos, por respekton mbi të gjitha vlerat.