Bota

Nisin zgjedhjet për Parlamentin Europian!

Nga sot e deri më 9 qershor, rreth 373 milion shtetas të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian janë thirrur të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Parlamenti është trupi i vetëm i BE-së që përfaqëson shtetasit e vendeve anëtare. Funksioni i tij primar përfshin negocimin e ligjeve të Unionit me anëtarë të qeverive, që përfaqësohen prej Këshillit Europian.

Po ashtu, Parlamenti Europian miraton buxhetin e BE-së e voton për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjerimin e bllokut europian. Ky institucion ka përgjegjësi mbikëqyrëse, përfshirë fuqinë për të miratuar apo refuzuar emërimin e presidentit të Komisionit Europian, pozitë ku aktualisht është Ursula von der Leyen e Gjermanisë. Po ashtu, fuqinë e komisionerëve.

Në dallim nga parlamentet kombëtare, Parlamenti Europian nuk ka të drejtë të propozojë ligje, por mund të negociojë ligjet e propozuara prej Komisionit Europian. Parlamenti Europian përbëhet prej 720 anëtarëve dhe zgjedhjet për të mbahen çdo pesë vjet. Deputetët e këtij institucioni, më pas zgjedhin presidentin për një mandat prej dy vjetësh e gjysmë.

Presidentja në ikje është Roberta Metsola e Italisë.

Kush mund të votojë?

Në 21 vende anëtare mund të votojnë shtetasit mbi 18-vjeç. Në Belgjikë, Gjermani, Austri e Maltë, mosha minimale është 16-vjeçare. Shtetasit grekë që kanë mbushur 17 vjeç në vitin që përkon me atë zgjedhor do të mund të votojnë po ashtu, ndërsa në Hungari, individët e martuar mund të votojnë pavarësisht moshës.

Shtetasit e BE-së mund të votojnë në shtetin e tyre të origjinës apo edhe nga jashtë. Ky lloj votimi është i lejuar në të gjitha vendet anëtare, përveçse në Çeki, Irlandë, Maltë e Sllovaki. Në Bullgari dhe Itali, kjo e drejtë u takon vetëm atyre që jetojnë brenda bllokut europian.

Shtetasit që jetojnë në ndonjë vend tjetër të BE-së mund të zgjedhin për të votuar nga shteti i origjinës apo për kandidatët e shtetit ku jetojnë. Votuesit mund të zgjedhin se për kë kandidat, të cilit vend do të votojnë, por nuk u lejohet që të votojnë në dy shtete në të njëjtën kohë.

Si votohet?

Në disa vende anëtare, votuesit do të mund të zgjedhin një kandidat prej listave të ngushta, pra nuk lejohet ndryshimi i rendit të kandidatëve të preferuar ndërsa në disa vende tjera, ata mund të zgjedhin kandidatët individualisht, përmes një sistemi preferencial.

Sipas ligjeve kombëtare, disa votues mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre në ambasada përmes postës, apo në mënyrë elektronike.