Votuesit serbë sot janë thirrur sërish në kutitë e votimit, për të zgjedhur përbërjen e Parlamentit të Serbisë, në më pak se një vit e gjysmë pas zgjedhjeve të fundit legjislative. Mes dy proceseve zgjedhore, vendi ballkanik ka përjetuar një inflacion rekord, si dhe protesta masive kundër dhunës, që kulmoi me një masakër në një shkollë, ngjarje që më së shumti shihen në Amerikë. Të gjitha këto u kthyen në një lëvizje të mirëfilltë opozitare në Serbi.
Kohët e fundit, presidenti serb Aleksander Vuçiç është shfaqur pothuajse çdo ditë në televizion për të bërë thirrje për vota për Partinë Progresive Serbe, SNS, e që përfaqëson të djathtën nacionaliste.
Përballë tij qëndron një koalicion i ri dhe që ka lindur pikërisht nga demonstratat masive kundër dhunës që tronditën vendin në muajin maj të këtij viti, pas vdekjes së 19 personave të vrarë me armë zjarri në dy tragjedi, përfshirë atë të shkollës fillore.
Të bashkuara nën flamurin “Serbia kundër dhunës”, partitë e koalicionit bënë fushatë për “një jetë pa frikë nga të fuqishmit”, një shoqëri paqësore e një përmirësim të situatës ekonomike. Inflacioni e ka goditur rëndë vendin, një nga më të varfrit në kontinentin europian e që ka prekur veçanërisht ushqimet.
Norma vjetore e inflacionit kaloi shifrën 15% në pranverë, përpara se të zbriste në 8% në muajin nëntor. Po ashtu, presidenti Aleksander Vuçiç bëri fushatë edhe për luftën kundër inflacionit e premtoi se në vitet e ardhshme do të ketë një rritje të pagës mesatare në 1 mijë e 400 euro, si dhe rritje të pensioneve në 650 euro. Në muajin shtator, paga mesatare në Serbi ishte 560 euro.
Opozita serbe ka dhënë alarmin duke vënë në dukje rreziqet që kanosen nga parregullsitë apo nga mashtrimet zgjedhore. Ndërkaq, sondazhet e fundit i japin SNS-së shumicën e votave, nga 40 deri në 45% të tyre. Qendrat e votimit u hapën në orën 06:00 GMT.
Mbi 5 mijë e 500 vëzhgues nga organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare janë të pranishëm për të monitoruar votimin, përfshirë 250 të dërguar nga OSBE-ja.
Më shumë se 8 mijë e 200 qendra votimi do të mbyllen në orën 19:00 GMT dhe rezultatet e para të pjesshme priten pas orës 21:00 të mbrëmjes.