Aktualitet Politikë

Nisi nga Tirana turin ballkanik, kryeministri Rama ndan fotot e vizitës së Von der Leyen-it!

Kryeministri Edi Rama ndan fotoalbumin e vizitës në Tiranë të presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, e cila me vendin tonë nisi një tur në Ballkan.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen dje në Tiranë, në nisje të turit të saj ballkanik nga Shqipëria e ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Pas takimit me tyre, Rama dhe Von der Leyen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp në të cilën konfirmuan përpjekjet që Shqipëria ka treguar për realizimin e të gjitha detyrave që kanë të bëjnë me anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe qëndrueshmëri në aspektin e afirmimit të të gjithë parimeve, vlerave që bashkojnë këtë komunitet vendesh e popujsh të Europës.

Zyrtarja e lartë europiane, Von der Leyen vuri në dukje se ekipi shqiptar negociator ka bërë një punë të shkëlqyer për axhendën e reformave.

Tani duhet të fillojmë edhe me parafinancimin prej 64 milion eurosh deri në fund të vitit. Pra, cilësia e planit të reformave është e mirë, kështu që edhe këtë vizion e kemi të qartë. Gjithsej, Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milion euro nga Plani i Rritjes. Plani i Rritjes do të sjellë edhe rezultate konkrete të tjera.

Në vijim të vizitës, dje pasdite, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, e shoqëruar nga shefi i qeverisë Rama  morën pjesë në ceremoninë hapëse të vitit të parë akademik të Kolegjit të Europës në Tiranë, në kampusin, i cili mban emrin e politikanit të shquar francez, ish-kreut të Komisionit Europian, Jacques Delors.

Hapja e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë është një tjetër gurthemeli në rrugëtimin e përafrimit me standardet europiane, pasi në një tjetër nivel ngre sfidën në lidhje me ndërkombëtarizimin e universiteteve tona dhe sigurisht, çel edhe një horizont të ri edukimi për të rinjtë.